Ministri i Sportit, Blerim Gashani tha se pëlqimi i një postimi të gazetarit Vudi Xhymshiti në rrjetin social Facebook, në të cilin ish-presidenti Hashim Thaçi cilësohej “vrasës”, ishte aksidental.
Gashani tha të mërkurën në rrjetet sociale se postimin e Xhymshitit e pëlqeu rastësisht, derisa iu përgjigj një komenti të një qytetari, përkrahës të Thaçit.
“Mundesh me fy sa të duash, por tashmë e kam sqaruar se like ishte aksidental. Duke shkuar teposhtë (scroll) e kisha pasë prekë gabim. Ata që më njohin, miq e armiq, e dinë se unë as nuk përdorë etiketa e fyerje e as i përkrahi a pëlqej”, tha shkroi Gashani, pjesë e partisë Guxo.
Gashani e tërhoqi pëlqimin nga statusi i gazetarit Xhymshiti dhe pastaj e shpërndau deklaratën e sotme të kryeministrit Albin Kurti lidhur me verdiktin në Hagë.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”, thotë Kurti në deklaratën të cilën e ka shpërndarë ministri Gashani.
“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, tha Kurti.













