Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë sot se situata e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, ka ndikuar në çmimin e naftës, gazit dhe energjisë elektrike.
Sipas saj, në rast të vazhdimit të konfliktit, çmimi i rrymës në Evropë dhe në Kosovë do të vazhdojë të rritet.
Rizvanolli ka thënë se invazioni rus në Ukrani, ka shkaktuar trazim të tregjeve ndërkombëtare.
Ministrja ka kërkuar miratim të masave emergjente për furnizim me energji elektrike, por që u kundërshtua nga partitë opozitare.
“Edhe pse kriza ishte thelluar qeveria përmes subvencionimit me dy alokime me 20 milionë euro dhe fushata vetëdijësuese kanë dhënë efekte pozitive. Prodhimi i energjisë është më stabil mirëpo vjetërsia e termocentralit Kosova A dhe B konsiderohet rrezik për furnizim me energji. Qeveria ka dhënë subvencionim shtesë 90 milionë euro. Lufta në Ukrainë ka shkaktuar rritje të çmimit në naftës dhe gazit. Çmimet vazhdojnë të rriten në bursë. Këto çmime vazhdojnë të rriten për shkak të luftës në Ukrainë. Ju bëjë thirrje miratimin e masave emergjente në sektorin e energjisë”, tha ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se nuk do të marrin pjesë në votim të vazhdimit të masave të përkohshme.
Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku ka thënë se e kanë paralajmëruar shumë më herët rritjen e çmimit të energjisë elektrike porse kjo nuk është marrë parasysh.
Ajo ka thënë se as LDK-ja nuk do të marrë pjesë në votim, duke shtuar se e kundërshtojnë zgjatjen e masave emergjente.













