I dërguari i posaçëm i presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, i cilësoi deklaratat e Trumpit si “historike” dhe një moment të rëndësishëm. Sipas tij, presidenti amerikan i është bashkuar atyre që mbështesin idenë se Ukraina ka nevojë për një udhëheqje të re, e cila do të angazhohej për paqen. Dmitriev akuzoi gjithashtu Zelensky-n se, sipas tij, po kontribuon në vazhdimin e luftës.
Më herët, Trump deklaroi se Ukraina ka nevojë për një president të aftë për të negociuar marrëveshje. Ai pretendoi se Zelensky ka pasur mundësi të negociojë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por nuk i ka shfrytëzuar ato.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se të ardhurat nga eksporti i produkteve ruse të naftës po ndihmojnë Kremlinin të vazhdojë luftën kundër Ukrainës. Sipas tij, pasojat e lehtësimit të kufizimeve janë bërë veçanërisht të dukshme në sfondin e sulmeve ruse ndaj Kievit.
Nga ana tjetër, Trump njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin për furnizimin e tregjeve amerikane dhe globale me miliona tonë metrikë naftë dizel ruse.













