Një 49-vjeçar humbi jetën sot në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi dyshohet se ra nga një lartësi derisa ishte duke punuar në një objekt.
Mësohet se viktima është Florim Ramaj, ndërsa kompania për të cilën ai punonte është “Shala Group”.
Pas rastit, Insajderi ka kontaktuar përfaqësues të kompanisë për të marrë përgjigje lidhur me kushtet e sigurisë në vendin e punës, përfshirë nëse punëtori ishte i pajisur me pajisjet e nevojshme mbrojtëse.
Përfaqësuesi i kompanisë ka refuzuar të japë përgjigje për këto çështje.
“Mundeni me kontaktu me avokatin tonë”, ka thënë ai.
Kur është pyetur se kush është avokati i kompanisë, përfaqësuesi është përgjigjur: “Të lutem, mos na pengo se jemi tu marrë me rastin”, para se ta ndërpriste telefonatën.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti po hetohet në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës.
“Sot rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën se një person ka rënë nga një lartësi (objekt) në lagjen Veternik në Prishtinë, derisa ishte duke punuar. Viktima mashkull, 49 vjeç, nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë Florie Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.













