Më 29 tetor, në orën 09:50, është caktuar të mbahet seanca në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtohet ankesa e Naim Murselit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Ankesa prej 30 faqesh, e dorëzuar nga dy avokatët e Murselit, kërkon prishjen e aktgjykimit ose shqiptimin e një dënimi më të butë.
Në ankesë, mbrojtja pretendon se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive. Po ashtu, ngrihen pretendime lidhur me mënyrën se si policia e ka marrë në pyetje Murselin.
Avokatët pretendojnë gjithashtu se gjykata nuk i ka marrë parasysh disa nga propozimet e mbrojtjes, përfshirë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të Murselit.
Në Gjykatën e Apelit ankesë ka deponuar edhe Leotrim Syla, avokati i të ndjerës Liridona Ademaj.
Ai i ka kërkuar Kolegjit të Apelit që, krahas Naim Murselit dhe Granit Plavës, me burgim të përjetshëm të dënohet edhe Kushtrim Kokalla.













