Një punëtor ka humbur jetën të hënën në një vendpunishte në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se për rastin është ndaluar një person me inicialet Xh.Sh., për 48 orë.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari po hetohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:30, ndërsa viktima, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, ka humbur jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Inspektimit të Komunës.
Prokuroria ka bërë të ditur se janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe se po vazhdon grumbullimi i provave për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Prokurori i çështjes pritet të shqyrtojë edhe mundësinë e kërkesës për caktimin e ndonjë mase të sigurisë ndaj të dyshuarit.













