Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar nisjen e sezonit të ri të podkastit “Flasim”, ku këtë herë do të jetë ai në rolin e të intervistuarit.
Në videon paralajmëruese, Rama shihet duke iu përgjigjur pyetjeve për Ishullin e Sazanit, SPAK-un, Bashkinë e Tiranës dhe rrugëtimin e tij politik.
Duke folur për projektin në Sazan, kryeministri mohoi se ishulli po shitet apo se investitorët do ta marrin atë në pronësi.
“Ata nuk po blejnë ishullin, as nuk po marrin pronësinë mbi ishullin. Ai ishull do të jetë pronë e Shqipërisë. Nuk jam shitësi i Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Ai adresoi kritika edhe ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke thënë se një nga veprimet më të këqija të SPAK-ut ka qenë, sipas tij, përdorimi i mediave për të dëmtuar imazhin e personave që më pas do të merreshin të pandehur.
Rama komentoi edhe situatën në Bashkinë e Tiranës, për të cilën tha se aktualisht “nuk ka kokë”.
“Është një eksperiment social, politik dhe ekonomik që një kryeqytet të drejtohet pa kokë”, u shpreh ai.
I pyetur për pasardhësin e tij politik, Rama deklaroi se nuk ka ndërmend ta zgjedhë vetë, duke shtuar se ai që synon ta pasojë duhet ta sfidojë.
“Në momentin që unë do të kaloj pragun e asaj dere, do të shpëtoni nga unë”, përfundoi Rama.













