Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe gjatë ditës së sotme paralajmëroi që Qeveria së shpejti do ta riprocedojë draftin e ri të Kodit Civil, i cili kishte dështuar të miratohej gjatë vitit 2022.
Haxhiu para mediave tha se gjatë kësaj kohe kanë diskutuar e me deputetët e VV-së që kanë qenë kundër, teksa u shpreh është që këtë herë kur të procedohet në Qeveri e në Kuvend, nuk do të dështojë.
Por disa nga deputetët e VV-së që kanë qenë kundër Kodit Civil janë shprehur se nuk kanë ndërruar qëndrim, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Një nga ta është edhe deputeti, Eman Rrahmani i cili ka paralajmëruar se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë.
Rrahmani ka rishpërndarë një video të tij, ku shprehet se “nuk kam asnjëherë votë PËR shkatërrimin e familjes”, teksa shtoi se do të jetë gjithmonë aktiv në mbrojtjen e saj.
“Nuk kam asnjëherë votë PËR shkatërrimin e familjes, ne do të jemi gjithmonë aktiv në mbrojtjen e saj.
Ky është deklarimi im rreth mundësisë së votimit të kodit Civil në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Rrahmani sipër videos së publikuar.

Njëjtë është shprehur sot për mediat edhe deputeti tjetër i VV-së, Gramos Agusholli. Ai thotë se nuk do ta votojë atë dhe se nuk beson se ky ligj do të kalojë këtë vit në Kuvend.
Për shkak të nenit kontestues, Kodi Civil dështoi të miratohej marsin e 2022-ës në Kuvendin e Kosovës.
Në mesin e 29 deputetëve që votuan kundër, 14 ishin nga Vetëvendosja.












