Në vend të shiritave të bllokimit, urdhrit për rrënim apo kallëzimit penal, zyrtarët e Inspekcionit në Komunën e Suharekës kishin zgjedhur një rrugë krejtësisht të pazakontë përballë një ndërtimi masiv pa leje: një “vërejtje miqësore” me fjalë.
“Nuk ke bërë mirë që e ke ndërtuar edhe një kat” – kjo ishte e gjithë “reagimi” që inspektori i ndërtimtarisë, Hafir Maliqaj, dhe drejtori i Inspekcioneve, Agim Demiri, i kishin bërë investitorit Nuhi Bytyçi, kur po kontrollonin objektin e tij në lagjen Slloxha të Suharekës.

Nuhi Bytyçi është vjehrri i deputetes së Aleancës, Albana Bytyçi, ndërsa Komuna e Suharekës udhëhiqet nga kryetari Bali Muharremaj, po ashtu nga radhët e kësaj partie.
Kjo frazë e pazakontë e zyrtarëve komunalë përmban gjetjen më goditëse të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, dosje kjo që e ka siguruar Insajderi.
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 8 qershor 2022, zyrtarët komunalë kishin dalë në terren për të inspektuar objektin afaristo-banesor. Në atë moment, ndërtesa tashmë kishte marrë formë me etazhitet B+P+3 – pra një kat më shumë sesa lejohej me lejen ndërtimore të lëshuar me 28 prill 2022.
Përkundër se e kishin parë me sytë e tyre katin e tretë të ndërtuar pa leje, inspektorët nuk e shënuan këtë shkelje në procesverbalin zyrtar të përpiluar më 15 qershor.
Në vend të kësaj, ata pretenduan se objekti po ndërtohej sipas lejes (B+P+2) dhe u mjaftuan vetëm me tërheqjen e vërejtjes me gojë ndaj vjehrrit të deputetes.
Kjo fshehje e gjendjes reale në teren i mundësoi investitorit që të vazhdonte punimet i patrazuar dhe ta përfundonte të gjithë katin e tretë të tërhequr (penthouse) prej 324.34 metrave katrorë, bashkë me tejkalime të tjera në përdhesë dhe katet e poshtme.
Nga ekspertiza e realizuar nga ekspertët e arkitekturës dhe gjeodezisë për nevojat e hetimit, ka rezultuar se Nuhi Bytyçi ka ndërtuar pa leje një sipërfaqe totale prej 730.67 metrash katrorë.
Kjo sipërfaqe e tejkaluar përfshin: 324.34 m² – Kati i tretë (penthouse) dhe 99.36 metra katror tejkalim me kulme të rrafshëta; 96.93 m² – tejkalime në katet e parë dhe të dytë dhe 218.36 metra katoror, tejkalim në përdhesë, e destinuar për veprimtari afariste.
Sipas vlerësimit të tregut, dobia pasurore që i është mundësuar investitorit nga kjo sipërfaqe e ndërtuar jashtë lejes llogaritet në 716,512.50 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm i drejtpërdrejtë nga mospagimi i taksave përkatëse ndërtimore.
Çfarë kërkon Prokuroria?
Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se zyrtarët komunalë kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë për t’i sjellë dobi pasurore investitorit: Agim Demiri, drejtor i Inspekcioneve dhe Hafir Maliqaj, inspektor akuzohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkohë, Nuhi Bytyçi në cilësinë e investitorit akuzohet për veprën penale “Ndërtimi pa leje” dhe Abdurrahim Hasani, pronar i kompanisë “Bashkimi Projekt” akuzohet për “Punimet e kundërligjshme ndërtimore”.
Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prizren që të gjithë të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’u shqiptojë dënimet e parapara me ligj.














