Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka reaguar sërish për punësimin e mjekëve të kthyer nga jashtë vendit, duke akuzuar ekzekutivin se po e paraqet licencimin e mjekëve si punësim në institucionet publike shëndetësore, transmeton Gazeta Online Veriu.info.
“Një qeveri që nuk bën dallimin ndërmjet licencimit dhe punësimit të mjekëve në sistemin publik shëndetësor, po përpiqet ta paraqesë një proces administrativ si rezultat të punësimit”, ka shkruar Zemaj.
Ish-ministri i Shëndetësisë, përmes një reagimi publik, ka deklaruar se qeveritarët nuk po bëjnë dallimin ndërmjet procedurës administrative të licencimit dhe punësimit të rregullt në sistemin publik shëndetësor.
Sipas tij, në Kosovë aktualisht figurojnë 534 mjekë të papunë, prej të cilëve 91 janë specialistë.
Kujtojmë se ishte deklarata e kryeministrit Kurti i cili para disa dite tha se vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjek janë kthyer nga vendet e ndryshme të evropës për të ushtruar profesionin e tyre në Kosovë./Veriu.info













