Politologu Adri Nurellari ka kundërshtuar dënimet e Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së. Ai ka bërë me dije se kjo gjykatë njollosi jo vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe Republikën e Shqipërisë.
Në një intervistë në A2CNN, ai ka thënë se shqiptarët duhet të mobilizohen për të mbrojtur UÇK-në.
“Lufta e Kosovës ka qenë për mbijetesë, e pabarabartë, partizane. Është dëshmuar se bëhej fjalë për guerrilje dhe kjo është farsa e madhe e kësaj gjykate. Drama është se flitet për përgjegjësi kolektive, e cila njollos UÇK-në, njollos mbështetësit e saj, përfshi botën perëndimore, por edhe Shqipërinë, pasi u përmend disa herë se veprimtaritë kanë ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo na detyron si shtet të mobilizohemi jo vetëm për solidaritet me Kosovën, por edhe për faktin se kemi të bëjmë me njollosje të shtetit shqiptar”, ka thënë ai.
Ai ka treguar për veprimet që duhet të ndërmarrin të dy vendet në mbrojtje të UÇK-së.
“Kemi përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë çështje. Më erdhi mirë që sot pati një deklaratë të përbashkët dhe kjo temë nuk u bë pjesë e debatit të përditshëm dhe politikës ditore. Pati mjaftueshëm përgjegjësi dhe shpresoj që atë mesazh të Kuvendit ta marrë qeveria, edhe ajo e Kosovës, dhe të dy qeveritë të lënë anash mllefet personale që kanë dy kryeministrat, dhe të merren vesh për kundërofensivën që duhet të ndërmarrin të dyja bashkë”, është shprehur ai.













