Peizazhin politik në vend dy muajt e fundit e ka karakterizuar një polarizim i skajshëm kur me forcë dhe me një aparaturë të tërë njësish speciale policore u instaluan tre kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, që si reperkusion sollën edhe sanksionimin dhe izolimin ndërkombëtar të vendit për herë të parë në historinë e re të Kosovës.
Opozita u alarmua nga ajo çfarë po ndodhte kur aleatët më jetikë dhe ekzistencialë të vendit peshën e fajësisë e rënduan mbi Kosovën, e më konkretisht, ndaj qeverisë mazhoritarianiste të Albin Kurtit.
Ky i fundit ua kishte “flakur tutje” mbarë kërkesat komunitetin Trans-Atlantik për kryetarët, sipas edhe vetë tij me “‘k’ të vogël”, e rinj në ato komuna. Kurti ua artikulonte ‘Jo’-në e tij hemisferës perëndimore të botës, hemisferë kjo që e tëra e njeh, pranon, promovon dhe mbështetë shtetësinë kosovare.
Një veprim i tillë Kosovën e projektoi si vend “të dhunshëm” ndaj minoritetit serb në pjesën veriore të vendit në media anë-e-kënd globit, ku edhe pasuan sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Gjermania.
Kurti, u pa si një nacionalist i majtë me një pakompromisësi dhe moskonsideratë të thellë edhe ndaj vetë shtetbërësve të vendit, për çka shumë kush mbeti në ngërç për t’i dhënë kuptimësi. S’e merrte vesh kush pse.
Opozita, i përvjeli mëngët për të artikuluar qëndrimet e tyre kundërshtuese ndaj këtij kursi, për të gjetur veten sërish objekt defamimi, diskreditimi dhe delgjimitimi nga maçineria e propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje e cila mirëmban klimën politike të “këta të 20 vjetshit” duke i asocuar me “gjithçka të keqe” që ata projektojnë në retrospektivë.
Në anën tjetër, fraza se “Kosova s’ka opozitë, Opozita na ka braktisë” mori theks të shtuar, në veçanti në mesin e atyre që prisnin një opozitbërje të paekuivokë ndaj kësaj çfarë po ngjante – e në veçanti në çarjen ditë e më fatale ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit.
Një opozitbërje më tonike, megjithatë, vinte nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ndonëse me një shtrirje shumë më të vogël elektorale se dy partitë tjera opozitare (LDK e PDK), ishte më vokali.
Haradinaj madje gjuhën e Kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit, përdorur ndaj shefit të diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, e quante “gjuhë të (Sergej) Lavrovit dhe të (Dmitri) Medvedevit”.
Kishte dalur menjëherë në konferencë për media për të përçuar qëndrimin e tij se kërkonte votë mosbesimi ndaj qeverisë së Kurtit, kërkesë kjo që i kishte hasur në veshë të shurdhër. Haradinaj, i drejtohej me “pash zotin ku e keni hallin?” dy kolegëve të tij opozitarë, Memli Kransiqit të PDK-së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së.
Memli Krasniqi, kishte nxjerrur një deklaratë 10 pikëshe të PDK-së ku njoftonte se kishin ndërprerë çfarëdo komunikimi me Qeverinë e Kosovës dhe Presidencën, për shkak të krjet ngjarjeve, derisa kërkonte dorëheqjen ose shpërbërjen e përbashkët të Parlamentit të Kosovës për të çelur rrugën për zgjedhje të reja.
Ndërkaq më i paqartë qëndronte Lumir Abdixhiku, i cili me partinë e tij kishte nisur të “rrugë të tretë” dhe “rrugë pa Kurtin”. Këto përfshinin në masë të madhe diskutime qytetare, me shoqërinë civile, përfaqësues të mediave e të tjera, por më tej nuk shihet të përkthehej në ndonjë veprim.
Memli Krasniqi, duke folur ditë më parë në një intervistë në RTV21 e morri si të mirëqenë se deri në fund të vitit do të ketë zgjedhje të reja nacionale, ku një numër herësh iu drejtua Kurtit “hajde dil në zgjedhje”.
“Sondazhi i vetëm është kutia e votimit”, i tha Krasniqit intervistuesit kur u pyet se a beson se ka përkrahje qytetare, derisa edhe u thirr në zgjedhjet lokale të tetorit-nëntorit të vitit 2021, ku Lëvizja Vetëvendosje kishte pësuar debakël të shumëfishtë e rrënues edhe për nga numri i komunave që kishte fituar (4 sosh) dhe komunat me koncentrimin më të madh të popullatës që kishte humbur, si Prishtina, Prizreni dhe Mitrovica. Aty-aty, sipas Krasniqit, qëndron realisht Vetëvendosja.
Por, edhe nëse janë të sigurt që gëzojnë atë mbështetje proto-2021, ose nëse kjo qeveri beson se ka bërë punë të mira, “hajde dalim në zgjedhje dhe shikoje a po të besojnë njerëzit njëjtë”, u shpreh një numër herësh Krasniqi.
“Shpresa ime (për zgjedhje të reja) është sa më herët, unë besoj sivjet. Këtë vit unë besoj se duhet të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. A është dhjetori a është tetori, është e parëndësishme, sa më herët është më mirë”.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, duke folur në Klan Kosovë shprehej se i kishin 49 vota për mocion të mosbesimti por se assesi s’bëhej fjalë që të rrëzonin qeverinë me votat e Listës Serbe. Ndërkaq, në një lexim që dukej si demantues, Kryetari i AAK-së, të nesërmen kërkoi sërish votat e opozitës (PDK, LDK) për të rrëzuar qeverinë.d
“Pyetja ime është, si shkohet në zgjedhje, ose si gjendet rruga e tretë për të dalë nga kjo gjendje?”, shlroi Haradinaj në Facbook dy ditë më parë.
“Prandaj partitë tjera opozitare, nëse janë të sinqerta në qëndrimin e tyre se kjo qeveri duhet ndalur me çdo kusht sepse po e shkatërron vendin, atëherë duhet ta kuptojnë se mocioni i propozuar prej nesh, është rruga e vetme, rrjedhimisht edhe ta mbështesin”.
Haradinaj edhe më herët pati kritika ndaj kolegëve të tij opozitarë. Po e gjykojnë “a priori” si të dështuar mocionin, thoshte Haradinaj për Krasniqin dhe Abdixhikun.
“S’bën të paragjykohet dështimi i mocionit, përveç nëse ke dyshime në vete se a je për mocion. Së pari një shpresë dhe vetëbesim që kem kapacitet m’i gjet edhe 19 vota tjera, kjo duhet me ekzistu brenda nesh”, pati thënë ai në T7 në emisionin “Pressing”.
Krasniqi Haradinajn e pati quajtur “vagon të fundit në Kuvendin e Kosovës” ndërsa iniciativën e tij e quajti jo vetëm “jo konsistente” por edhe “protagonizëm”.
“Haradinaj është i paqartë në veprimet e veta… Kjo është pyetje komplet pa vend, për çfarë të frikësohemi? Që po kemi sukses apo që s’kemi sukses. A mundet me na tregu, qysh lidhet me ba mocion e me dërgu letra te presidentja e kryeministri, për të diskutuar, është komplet jokonsistent. Ai është vagoni i fundit në Kuvend, 7-8 deputetë i ka”, pati thënë në Debat Plus, Memli Krasniqi.
Nëse jo mocioni, kërkonte Haradinaj, “atëherë a dalim në protesta – urdhëroni jepne idenë” sepse nuk duhet qëndruar “vëzhgues pasiv” ndaj një qeverie e ka cila ka hyrë në konfrontim dhe është ndëshkuar nga komuniteti Trans-Atlantik.
“Habitem se si nuk po e marrin pak ma kjamet këtë punë”, do të thoshte mes tjerash Haradinaj.












