Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot 11 shtatori, sulmet terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Osmani në postimin e bërë në Facebook thotë se nderojnë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste, transmeton Telegrafi.
“11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm”, ka pohuar presidentja.
Si pasojë e këtij sulmi, rreth tre mijë persona kanë humbur jetën. Në mesin e viktimave ishin 2.752 persona, prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Shumica prej viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme.
Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin edhe tre shqiptaro-amerikanët: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj. Dedvukaj, Gjonbalaj dhe Camaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregtare Botërore.













