Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka reaguar ndaj akuzave të një deputeteje të kësaj partie në drejtim të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar atë për “mafi energjetike”.
Guri ka ngritur pyetje lidhur me nominimin dhe përkrahjen që Abdixhiku ia kishte dhënë deputetes në fjalë, duke thënë se nëse do të ndiqej logjika e akuzës së saj, atëherë ajo duhet të shpjegojë se kush ia hapi rrugën për t’u bërë deputete dhe cila ishte kauza për të cilën u nominua.
“Po pra pikërisht se e kishte kauzën e mafisë energjetike”, ka shkruar Guri.
Ai ka vënë në pikëpyetje logjikën e akuzave ndaj Abdixhikut, duke rikujtuar se e njëjta deputete, para disa muajsh, kishte deklaruar se “i besoj liderit tim”.
“Cila është logjika që një person i cili qenka pjesë e mafisë, të bëjë çmos që ti të zgjidheshe deputete”, ka shkruar ai.
Më tej, Guri ka treguar edhe një episod personal, që sipas tij lidhet me mënyrën se si Abdixhiku kishte vendosur për listën zgjedhore të LDK-së.
Ai ka thënë se para zgjedhjeve të dhjetorit, si deputet i legjislaturës së nëntë, i kishte kërkuar Abdixhikut që ta radhiste në njëzetshen e parë të listës së LDK-së.
“Përgjigjja e tij ishte: ‘Paris, nuk mundem, sepse Janina po kërkon të jetë në top 20.’ Dhe nuk mundem tre nga i njëjti qytet të jenë në 20-she”, ka rrëfyer Guri.
Sipas tij, ai ishte deputet i zgjedhur dhe njëri ndër deputetët më të sulmuar e të linçuar nga pushteti, ndërsa Janina vinte nga dega e Ferizajt me 123 vota.
“Megjithatë, kryetari vendosi t’i jepte asaj hapësirë dhe besim politik. E vendosi në listë, e radhiti lart dhe i dha mundësinë që sot të jetë aty ku është”, ka shkruar Guri.
Deputeti i LDK-së ka thënë se për këtë arsye, kur dëgjon akuza për “mafi energjetike”, i lind një pyetje.
“Nëse Lumir Abdixhiku qenka pjesë e ‘mafias energjetike’, atëherë pse pikërisht ai zgjodhi, promovoi dhe i hapi rrugën politike një prej njerëzve që sot e akuzon për të. Madje këtë e ka thënë edhe deputetja para 3 muajve”, ka deklaruar Guri.
Në fund, ai ka theksuar se mospajtimi politik është normal dhe se kritika është e drejtë, por ka shtuar se mirënjohja nuk duhet të zgjasë vetëm deri në momentin kur ambicia personale bëhet më e madhe se kujtesa.
“Sepse njerëzit mund të harrojnë shumëçka. Por faktet kanë një ves të keq: mbesin”, ka përfunduar Guri.












