Gazeta Online Veriu.info raportoi dje ekskluzivisht se si komuna e Lipjanit e ka shpërblyer me tender në vlerë prej mbi 6 milionë euro grupin e operatorëve ekonomik LINDA, Euro Infrastruktura dhe B-Bardhi Sh.P.K. për ndërtimi i nënkalimit, vazhdimin e ndërtimit të sheshit, ndërtimi i parkut qendror të qytetit dhe parkingut nëntoksor në Lipjan.
Në tenderin e shpallur në muajin korrik kishin ofertuar katër kompani, ku grupi i operatorëve ekonomik Olti Trasing Sh.P.K., Rexha Sh.P.K. dhe Konstruktori Ing 1969 Sh.P.K. kishin ofertuar me çmimin më të lirë prej 6,022,220 euro, por që janë eliminuar nga autoriteti kontraktues, përkatësisht zyra e prokurimit e komunës së Lipjanit.
Në arsyetimin e eleminimit ndër të tjera, thuhet se deklarata nën betim e konzorciumit Rexha Sh.P.K. nuk i përket projektit në fjalë dhe është bërë para datës së publikimit të këtij projekti, por po ashtu përmendet edhe arsye që kanë të bëjnë me stafin e angazhuar.
Veriu.info ka kontaktuar kryetarin e partisë opozitare në këtë komunë, Hyzer Rizani, që drejton Partinë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.
Ai për Veriu.info ka deklaruar se të gjithë tenderët në komunën e Lipjanit janë të dirigjuar nga kryetari i komunës, Imri Ahmeti, dhe se askush nuk mund të fitojë tenderë në këtë komunë pa kaluar nëpër zyrat e kryetarit Ahmeti.
Veriu.info e ka pyetur specifikisht për fituesin e tenderit nga operatori ekonomik “Linda” bashkë me operatorin tjetër Euro Infrastruktura ku pronar i të dy operatorëve është i njëjti person, Hysri Berisha dhe kompania tjetër B-Bardhi SH.P.K.
Rizani ka thënë kjo gjë dyshon se është bërë nga zyra e kryetarit Ahmeti.
“Në komunën e Lipjanit të gjithë tenderët fitohen nga kompanitë të cilat kanë lidhje me kryetarin e komunës, Imri Ahmeti, dhe njerëzit e tij të afërt. Ne dyshojmë se të gjitha këto bëhen me qëllim të keqpërdorimeve. Rast i njëjtë është edhe rasti me operatorin ekonimik “Linda” që bashkë me operatorët tjerë fitoi tender mbi 6 milionë euro.” – tha Rizani për Veriu.info.
Rizani po ashtu edhe përmes një statusi në Facebook ka kritikuar pushtetin aktual të Lipjanit për dëmkat e dukurive negative shoqërisë të cilat po e prishin imazhin e demokracisë të cilat sipas tij janë:
📍Diskriminimi në sistemin arsimor,
📍Kurdisja e konkurseve në shëndetësi,
📍Tenderë me kompanitë të afërta me pushtetin,konflikti i interesit.
📍Hartat zonale mollë e ndaluar për bizneset të cilat nuk janë përkrahës të LDK-së.
📍Arrestime për keqpërdorim të detyrës zyrtare me subvencione dhe mito.
📍Tejkalime me leje ndërtimore të militantëve të LDK-së përfshirë këtu edhe drejtorët e ekzekutivit.
📍Lëshimi në përdorim të objekteve shkollore pa pranimin teknik.
📍Rastin i stadiumit në Magure dhe Dobraj të Madhe.
📍Planifikime pa dëgjim publik.
“Për të gjitha këto parregullsi jo vetëm dorëheqja si akt moral por edhe veprimi i prokurorisë duhet të vehet në lëvizje për të parandaluar dhe riparuar këto dukuri të Kryetarit të Komunës së LIpjanit z. Imri Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij.” – shkruan Rizani.