Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka bërë të ditur se ka vizituar babanë e tij pas shpalljes së aktgjykimit të sotëm në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Altin Krasniqi ka treguar se Jakup Krasniqi ka falënderuar shqiptarët për mbështetjen që i kanë dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj.
Më tej, ai ka thënë se ish-krerët e UÇK-së janë të fortë dhe krenarë, ndërsa ka vlerësuar se aktgjykimi i sotëm nuk përbën dënim për ta, por për popullin dhe shtetin e Kosovës.
Postimi i plotë:
Sapo përfundova vizitën me babin.
Ai falënderon secilin shqiptar për mbështetjen që i është dhënë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata janë të fortë, krenarë dhe me ndërgjegje të pastër për veprimtarinë e tyre. Ky nuk është dënim për ta, sepse fitoren e tyre e kanë fituar në qershor të vitit 1999 dhe më 17.02.2008.
Ky është një dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës.
UÇK-ja është dhe do të mbetet krenaria jonë.













