Gjatë ditës së djeshme janë publikuar pamje nga një incident që ka ndodhur te rrethi i Flamurit në Prishtinë, ku disa persona janë përleshur fizikisht mes vete. Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë dhe dy prej tyre kanë përfunduar në ndalim policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat e arrestuar janë:
Isa Gashi 60-vjeçar
Valon Gashi 23-vjeçar
Donart Osmani 21-vjeçar
Butrint Osmani 19-vjeçar
Sinjali mëson se motivi i përleshjes lidhet me një mosmarrëveshje të momentit në trafik, kur Valon Gashi ishte afruar te vetura e Butrint Osmanit dhe të njëjtin më pas dyshohet se e ka sulmuar fizikisht.
Valonit në krah i doli edhe babai i tij Isa, ndërsa në anën tjetër në rrahje u përfshi edhe vëllai i Butrintit, Donarti.
Si pasojë e përleshjes ka mbetur i lënduar Isa Gashi, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa të tjerët nuk kanë pësuar lëndime.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim që Valon Gashi dhe Butrint Osmani të dërgohen në mbajtje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












