Një sërë polemikash janë zhvilluar mes deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Gjithçka filloi kur Pacolli deklaroi se do të instalohen edhe disa fontana uji në objektin e Kuvendit.
Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer Çitakut, e cila përmes një postimi në Facebook ka ironizuar me ligjvënësen e pushtetit duke thënë se “nga një program zgjedhor i cili ishte fontanë dëshirash, përfunduam me propozime për fontanë uji në Kuvend”.
E shpejt ka qenë më pas kundërpërgjigjja e Pacollit. Ajo po ashtu në Facebook-un e saj ia kthehu Çitakut, ndërsa shtoi se “nga deklaratat për fuqizim të shtetit të Kosovës në kontrata për ndarjen e shtetit të Kosovës”.
Ajo tha se kaq mjafton për nënkryetaren e partisë më të madhe opozitare.
“Nga deklaratat për fuqizim të shtetit të Kosovës në kontrata për ndarjen e shtetit të Kosovës. Kaq për nënkryetaren e PDK-së”, shkroi ajo në Facebook.












