Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të sulmit në lagjen e Jasharëve në Prekaz.
Prokurori Valdet Gashi, në konferencë për media, ka bërë të ditur se hetimi për këtë rast ka zgjatur disa vjet dhe se bëhet fjalë për një proces kompleks hetimor.
“Pas një pune disa vjeçare kemi arritur ta realizojmë hetimin në rastin e Prekazit, me ngritjen e aktakuzës. Ka qenë një rast shumë kompleks, mirëpo falë një pune shumë intensive të Prokurorisë Speciale dhe stafit të saj, gjithashtu edhe të Policisë së Kosovës, kemi arritur ta ngremë aktakuzën”, tha Gashi.
Sipas tij, bazuar në provat materiale dhe personale të mbledhura gjatë hetimit, janë identifikuar 35 të dyshuar, të cilët, sipas Prokurorisë, i përkasin policisë serbe.
“Është arritur të verifikohen aktivitetet e të gjithëve, arsenali, dëmet që janë shkaktuar, si ndaj njerëzve, ashtu edhe ndaj pasurisë”, tha prokurori.
Gashi tha se provat e mbledhura gjatë hetimit kanë vërtetuar se në sulmin në Prekaz janë vrarë 26 civilë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.














