Ka nisur në Hagë seanca në Gjykatën Speciale për rastin e dytë, ku akuzohet ish-presidenti Hashim Thaçi për ndërhyrje në drejtësi.
Prokurorja e Specializuar Kimberly West, ka folur për çështjen gjyqësore ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si një rast njëkohësisht të thjeshtë dhe të komplikuar.
Ajo ka thënë se, në njërën anë, bëhet fjalë për një person që po përballet me akuza të rënda dhe me mundësinë e një dënimi të gjatë, ndërsa në anën tjetër, sipas saj, gjatë procesit është tentuar të ndërhyhet në dëshmitë e dëshmitarëve.
“Kjo është një çështje zyrtare, sa e thjeshtë, po aq edhe e komplikuar. Nga njëra anë kemi një person që po përballet me akuza të rënda dhe mundësinë për t’u dënuar për një kohë të gjatë”, ka deklaruar ajo.
Prokurorja e specializuar ka pretenduar se Thaçi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, është përpjekur ta pengojë procesin gjyqësor përmes ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve.
“Bashkë me bashkëpunëtorët e tij, ai u përpoq ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orë incizime”, ka thënë ajo.
Thaçi dhe bashkë të akuzuarit e tij po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për akuzat që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të akuzuarit i kanë mohuar akuzat.













