Analisti Frrok Çupi ka komentuar dënimin ndaj katër liderët e UÇK-së, duke deklaruar se shqiptarët ende nuk e kanë kuptuar plotësisht rëndësinë e asaj që ka ndodhur.
Në emisionin “Ora Shtatë”, Çupi tha se Kosova dhe Shqipëria ndodhen përballë një momenti historik dhe paralajmëroi se, sipas tij, mund të humben edhe mundësi të tjera nëse nuk kuptohet situata aktuale.
“Puna është se ne ende nuk po e kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Realisht ka ndodhur një gjë që, nëse nuk e kuptojmë sa më shpejt, edhe kësaj here të tjerët do ta kuptojnë para nesh dhe do të na ikë treni tjetër. Po na ikin trenat”, u shpreh Çupi.
Duke iu referuar aktgjykimit dënues, analisti e cilësoi atë si një moment me rëndësi të veçantë në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.
“Në rastin e katër liderëve të UÇK-së, iku një nga trenat më të fuqishëm që e ndryshoi historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve kudo. Po të na ikë edhe treni i të kuptuarit, atëherë ne jemi keq”, deklaroi ai.
Çupi u ndal edhe te marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë. Sipas tij, Kosova është gjendur në një periudhë të vështirë politike dhe në një pikë të izolimit.
“E para që duhet të kuptojmë është se pse ndodhi kjo. Kjo ndodhi përveç se për arsyen historike që neve shqiptarëve nuk na kanë dashur në histori, por kësaj here sigurisht që përfituam dashurinë e të gjithë aleatëve tanë, dhe jo vetëm dashurinë por edhe mbështetjen. Por nuk po e kuptojmë se si atë mbështetje nuk e kishim ditën e fundit. Kosova u ndodh në ditën më të dobët që kishte në historinë politike si shtet, u ndodh në pikën më të izoluar. Çka na duhet sot? Sot na duhen miqtë. Siç themi ne shqiptarët ‘miku për ditë të ligë është’. Po ku janë miqtë? Miqtë i kemi dëbuar”, u shpreh Çupi.













