Komuna e Ferizajt ia dha biznesmenit Nazmi Viça tri kate shtesë si kompensim për tokën e shfrytëzuar për ndërtimin e nënkalimit, por Ministria e Mjedisit e shpalli vendimin të kundërligjshëm. Në llogaritë e paraqitura nga kompania “Daakonn” sh.p.k., për çudi thotë se tri katet me sipërfaqe prej 2,715 metrash katrorë parashihnin fitim vetëm prej 248 mijë eurosh. Ministria konstatoi se kompensimi përmes rritjes së etazhitetit dhe koeficientit ndërtimor bie ndesh me Ligjin. Ndërkaq drejtori komunal i Urbanizmit u distancua nga nisma, duke ia lënë përgjegjësinë kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe kërkesës së biznesmenit. “Daakonn” nuk iu përgjigj pyetjeve të Insajderit.
Një proces i shkëmbimit dhe kompensimit të pronës ndërmjet Komunës së Ferizajt që drejtohet nga Agim Aliu i PDK-së dhe operatorit ekonomik “Daakonn” sh.p.k. i Nazmi Viçës është marrë për vlerësim ligjshmërie nga niveli qendror. Më saktësisht, nga Ministria e Mjedisit.
Çështja lidhet me marrjen në shfrytëzim të një sipërfaqeje prej 1,426 metrash katrorë (14 ari e 26 m²) nga ngastra kadastrale 721-0 në Zonën Kadastrale Nekodim, pronë e shoqërisë tregtare “Daakonn” sh.p.k. Kjo sipërfaqe e tokës u shfrytëzua nga komuna për realizimin e projektit të nënkalimit për automjete në fshatin Nekodim, projekt që tashmë ka përfunduar dhe tashmë është plotësisht funksional.
Megjithatë, mënyra se si Kuvendi Komunal i Ferizajt vendosi ta kompensojë kompaninë e biznesmenit Nazmi Viça, përmes lejimit të kateve shtesë, u vlerësua si akt i kundërligjshëm nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).
Sipas dokumenteve zyrtare, më 28 mars të 2025-ës, Kuvendi i Komunës së Ferizajt kishte miratuar Vendimin 01.Nr.28 për shpalljen e interesit të përgjithshëm publik për një pjesë të ngastrës 721-0, në Zonën Kadastrale Nekodim.
Në pikën III të këtij vendimi përcaktohej se “pjesa e ngastrës kadastrale 721-0 Z.K. Nekodim me sipërfaqe 1426 m² do të kompensohet nga Komuna në formën që pala do të paraqesë si kërkesë për kompenzim në pajtueshmëri me ligjet në fuqi”.
Ky vendim paraprak u procedua për shqyrtim të ligjshmërisë në ministritë përkatëse dhe mori konfirmimin institucional nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) më 29 prill të vitit që shkoi. Në të konstatohej se Komuna e Ferizajt vepron si organ shpronësues për pronat private brenda territorit të saj.
Tri kate shtesë në vend të kompensimit financiar
Pasi nënkalimi hyri në funksion, më 27 prill të këtij viti, kompania “Daakonn” sh.p.k., përmes drejtorit menaxhues Ismajl Avdiji dhe përfaqësuesit Nazmi Viça si pronar, parashtroi kërkesën zyrtare pranë Kuvendit Komunal për caktimin e formës përfundimtare të kompensimit.
Kompania kërkoi që kompensimi të mos bëhej me mjete financiare nga buxheti komunal, por përmes rritjes së etazhitetit dhe koeficientit ndërtimor.
Më 31 korrik të këtij viti, Kuvendi i Komunës së Ferizajt miratoi Vendimin 01.Nr.93. Në pikën II të tij u përcaktua se “kompensimi i pronës nga pika I e këtij vendimi realizohet përmes rritjes së etazhitetit dhe koeficientit ndërtimor, në përputhje me raportin e vlerësimit të pronës dhe ekspertizës financiare të përgaditur nga persona të licencuar”.
Si u barazua toka prej 14 ari me fitimin nga tri kate shtesë?
Për ta mbështetur këtë formë kompensimi në Kuvendin Komunal, u administruan dy raporte.
Raporti i Vlerësimit të Pronës së Paluajtshme, i datës 23 prill 2026 i përgatitur nga vlerësuesi i licencuar Hyzri Llabjani. Raporti përcaktoi vlerën e tregut të ngastrës kadastrale 721-0 në 183 euro për metër katror. Për sipërfaqen e marrë prej 1,400 m² (14 ari), vlera totale e tregut u llogarit në 256,200 euro.
Pastaj erdhi edhe një rport tjetër, Ekspertiza Financiare e Mejdi Bektashit, e datës 23 prill 2026.
Bekteshi, i angazhuar nga kompania “Daakonn” sh.p.k., përmes drejtorit Nazmi Viça, si ekspert financiar dhe gjyqësor analizoi kostot dhe të hyrat e pritshme nga ndërtimi i tri kateve shtesë, përkatësisht kateve 19, 20 dhe 21, me sipërfaqe totale prej 2,715 m².
Sipas ekspertizës së Bektashit, kostoja e përgjithshme e ndërtimit të tri kateve u përllogarit në mbi 3.2 milionë euro.
Duke u bazuar në çmimin mesatar të shitjes prej 1,271.93 eurosh për metër katror, të nxjerrë vetëm nga kontratat e katit të 19-të, të hyrat totale potenciale u llogaritën në mbi 3.4 milionë euro.
Nga këto përllogaritje, fitimi neto i parashikuar nga shitja e tri kateve, sipas Bekteshit del që të jetë veç diku te 248 mijë euro.
Përmes kësaj përllogaritjeje, u tha se fitimi i kompanisë nga tri katet shtesë, prej 248,631 eurosh, ishte pothuajse i barabartë me vlerën e tokës së marrë nga komuna, e llogaritur në 256,200 euro. Diferenca ishte rreth 7,600 euro, për të cilën kompania deklaroi se hiqte dorë nga çdo kërkesë shtesë financiare.
Niveli qendror e vlerësoi vendimin të paligjshëm
Vendimi 01.Nr.93 i Kuvendit Komunal të Ferizajt u dërgua për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe më pas u përcoll në ministrinë përkatëse, MMPH.
Më 19 gusht të këtij viti, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nxori vlerësimin zyrtar të ligjshmërisë e ku Zyra e Departamentit Ligjor, kërkonte nga Kuvendi Komunal i Ferizajt rishqyrtimin e ligjshmërisë së aktit. Në arsyetimin e saj, MMPH paraqiti disa konstatime.
Duke iu referuar neneve 4, 15 dhe 16 të Ligjit Nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, të ndryshuar me Ligjin Nr. 03/L-205, ministria tha se shpronësimi lejohet vetëm për qëllime publike dhe se kompensimi duhet të përcaktohet sipas vlerës reale të tregut dhe të paguhet në para.
Sipas ministrisë, përcaktimi i kompensimit përmes mundësisë së ndërtimit të kateve shtesë nuk është në përputhje me dispozitat e ligjit për shpronësim, pasi nuk garanton vlerën reale të pronës dhe kufizon të drejtën për kompensim financiar.
MMPH theksoi se vendimi i Kuvendit Komunal të Ferizajt nuk mund ta anashkalojë Ligjin për Shpronësimin dhe se “çdo veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe e bën vendimin të kundërligjshëm”.
Tentativa e kompanisë për rivlerësim dhe refuzimi i dytë nga ministria
Më 18 shtator, firma e Nazmi Viçës “Daakonn” sh.p.k., përmes drejtorit Ismajl Avdiji, i parashtroi MMPH-së “Kërkesë për rishikim dhe rivlerësim të vlerësimit të ligjshmërisë”.
Kompania pretendoi se duhej të merreshin parasysh vazhdimësia juridike e Vendimit 01.Nr.28, interesi publik i realizuar përmes ndërtimit të nënkalimit, ekuivalenca ekonomike e argumentuar përmes ekspertizës së Mejdi Bektashit, si dhe kompetencat vetanake të komunës në fushën e planifikimit urban.
Megjithatë, më 23 shtator 2026, MMPH ktheu përgjigje duke sqaruar se procedurat e shqyrtimit administrativ rregullohen me Ligjin Nr. 08/L-284 për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave.
Ministria bëri të ditur se ky ligj nuk parasheh procedurë për rishikimin apo rivlerësimin e vlerësimit të ligjshmërisë me kërkesë të palëve të treta. Kështu, ministria nuk e ndryshoi konstatimin e saj për paligjshmërinë e vendimit të Kuvendit Komunal të Ferizajt, ndërsa palët i udhëzoi drejt rrugëve të tjera administrative ose gjyqësore.
Lidhur me këtë vendimmarrje të kontestuar nga niveli qendror, Insajderi ka kërkuar sqarime edhe nga Arbër Bytyqi, drejtor i Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Ferizajt. Sipas pikës III të vetë Vendimit 01.Nr.93, kjo drejtori ishte e obliguar të ndërmerrte veprimet për zbatimin e tij.
Në një prononcim për gazetën, drejtori Bytyqi u distancua nga nisma për vendimin, duke ia atribuar përgjegjësinë për prezantimin e pikës Kuvendit Komunal dhe kërkesës së vetë palës.
“Unë vetëm kam dhënë sqarime për këtë çështje, ndërsa pika në Kuvendin Komunal është prezantuar nga Kryesuesi i Kuvendit, z. Xhavit Zariqi, si kërkesë e palës drejtuar Kuvendit Komunal. Sqarimet që kam dhënë në Kuvendin Komunal sa i përket kësaj çështjeje mund të merren ashtu siç i kam deklaruar në seancë”, u përgjigj Bytyqi, por pa komentuar më shumë
Pavarësisht këtij qëndrimi të ekzekutivit, i cili e paraqet çështjen si procedurë të Kuvendit Komunal, dokumentet dëshmojnë se organet komunale të Ferizajt miratuan aktin që më pas u vlerësua zyrtarisht si i kundërligjshëm nga ministria përkatëse.
Në anën tjetër, Insajderi u ka dërguar pyetje edhe kompanisë “Daakonn” sh.p.k. dhe përfaqësuesit të saj, Nazmi Viça, duke kërkuar përgjigje lidhur me konstatimet e ministrisë, logjikën ekonomike të investimit dhe pretendimet e paraqitura në ekspertizat profesionale.
Insajderi e ka pyetur kompaninë edhe pasi që sipas ekspertizës, kompania po i fiton vetëm gati 250 mijë euro nga 3 kate shtesë, a do të pranonte që t’i shiste ato ende pa i ndërtuar vetëm për atë shum (tri kate 250 mijë euro në total) dhe ta merrte fitimin në dorë.
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, as kompania “Daakonn” sh.p.k. dhe as përfaqësuesit e saj nuk kanë kthyer përgjigje.















