Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ia ka caktuar masën e paraburgimit Brahim Demirit, i dyshuar për vrasje të rëndë.
Demiri dyshohet se e ka privuar nga jeta të birin e tij dje në fshatin Demiraj, pas një konflikti fizik, ndërsa mbesa e tij, vajza tre muajshe e tashmë ndjerit, ishte gjetur po ashtu pa shenja jete.
“Në kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit është pretenduar se i pandehuri B. D. me datë 1 nëntor 2026, në periudhën kohore pas orës 00:27 e deri në orët e mëngjesit, në shtëpinë e tij në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, pas një konflikti fizik me djalin e tij e privon nga jeta A. D., ndërsa më parë edhe fëmija D. D., është gjetur e pa jetë dhe me shenja dhune në shtratin e babait të saj, tani të ndjerit A. D., ku janë vërejtur edhe njolla gjaku, krejt këto të shkaktuara me dyshimin nga babai i saj tani i ndjeri A., ashtu që nga veprimet e të njëjtëve janë privuar nga jeta dy anëtar të familjes së tyre.” – njofton gjykata.
Më këto veprime, Demiri dyshohet të ketë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj tij, sepse po të lihej i lirë, i njëjti, me qëllim të koordinimit dhe minimizimit pasojave për veprimet e ndërmarra, do të mund të ndikojë në dëshmitarët e tjerë.














