Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Rasti SkyECC | Apeli liron tre të dyshuar me nga 10 mijë euro dorëzani, në panel gjyqtari që i kishte dërguar në paraburgim

29/09/2026 - 15:29
në Lajme
A A
Rasti SkyECC | Apeli liron tre të dyshuar me nga 10 mijë euro dorëzani, në panel gjyqtari që i kishte dërguar në paraburgim
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Prokuroria Speciale paraqiti prova për rolin e tre të dyshuarve në trafikimin e narkotikëve, komunikimet përmes SkyECC, vetura me hapësira të improvizuara dhe dokumente të falsifikuara. Për Armend Ismajlin, Edin Berishën dhe Lorik Tiganin, prokuroria argumentoi se rreziku nuk mund të neutralizohej vetëm me masa alternative. Megjithatë, Apeli la në fuqi lirimin e tyre nga paraburgimi, me nga 10 mijë euro dorëzani për secilin. Në panelin e Apelit që refuzoi ankesën e Prokurorisë Speciale ishte edhe gjyqtari Valon Kurtaj, i cili një vit më herët kishte vendosur për paraburgimin e të dyshuarve në të njëjtën çështje

Kosova po përballet me një prej proceseve më komplekse e më gjithëpërfshirëse të hetimit të krimit të organizuar dhe transnacional të vitit. I njohur si rasti i përgjimeve “SkyECC” ose operacioni “Qielli i thyer”.

Ky hetim voluminoz ka vënë në shënjestër dhjetëra persona të dyshuar si pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të trafikimit të lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumenteve. Mirëpo, përveç përmasave të tij kriminale, rasti së fundmi ka prodhuar edhe një dyshim për shkelje serioze procedurale brenda vetë sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Dokumentet zyrtare të siguruara ekskluzivisht nga Gazeta Insajderi dëshmojnë se si i njëjti gjyqtar, Valon Kurtaj, ka vendosur dy herë për të njëjtët të pandehur në të njëjtën çështje penale – fillimisht si gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke i dërguar në paraburgim strikt, e më pas, pas avancimit të tij, si anëtar i Kolegjit në Gjykatën e Apelit.

Në këtë të fundit, ai bashkë-nënshkroi vendimin që refuzoi ankesën e Prokurorisë Speciale dhe konfirmoi lirimin e tre prej të dyshuarve kryesorë kundrejt një dorëzanie prej vetëm 10 mijë eurosh.

Sipas interpretimit të juristëve. kjo mënyrë e vendimmarrjes bie në kundërshtim të hapur me nenet 38 dhe 39 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPRK), të cilat ndalojnë kategorikisht që një gjyqtar të marrë pjesë në shkallë të dytë për një lëndë ku ka zhvilluar veprime apo ka marrë vendime në shkallë të parë.

Lëvizja e gjyqtarit Valon Kurtaj nga shkalla e parë në shkallën e dytë për të njëjtën lëndë penale del se mund të përbën shkelje direkte të dispozitave ligjore që garantojnë paanshmërinë e gjyqësorit.

“Gjyqtari përjashtohet si gjyqtar i vetëm gjykues, kryetar i trupit gjykues, anëtar i trupit gjykues, anëtar i kolegjit të apelit apo kolegjit të Gjykatës Supreme nëse ka marrë pjesë në procedura të mëhershme në të njëjtin rast penal…” thuhet në Nenin 38, paragrafi 2 të KPRK-së- “Bazat për përjashtimin e gjyqtarëve”.

“Gjyqtari posa të mësojë se ekziston ndonjë arsye për përjashtim nga neni 38, paragrafi 1 ose 2 i këtij KODI ndërpret çdo aktivitet lidhur me këtë çështje dhe njofton kryetarin e gjykatës…”, thuhet tutje.

Në rastin konkret, abstenimi apo kërkesa për vetëpërjashtim nuk ndodhi. I njëjti gjyqtar që në tetor 2025 kishte vlerësuar se Armend Ismajli, Edin Berisha dhe Lorik Tigani duhet të qëndrojnë në paraburgim si pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal, në shtator 2026 u ul në karrigen e Apelit për të certifikuar se për të njëjtit tre persona tashmë mjaftojnë vetëm nga 10 mijë euro për t’u mbrojtur në liri.

Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje të detajuara Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për të kërkuar sqarime publike nëse ndaj këtij rast, por deri tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Rrjeti ndërkombëtar, bunkerët në vetura dhe dokumentet e rreme

Operacioni ndërkombëtar i iniciuar nga autoritetet gjyqësore dhe policore të Francës, Belgjikës e Holandës, me mbështetjen e EUROPOL-it, arriti të zbërthente dhe të dekriptonte përgjimet e platformës së koduar komunikuese “SkyECC”.

Kjo platformë, e cila për vite me radhë u promovua si mjet i sigurt komunikimi për grupet kriminale në mbarë botën, nxori në dritë transkripte, fotografi, fatura e komunikime tekstuale që dyshohet se lidhnin drejtpërdrejt eksponentë të ndryshëm nga Kosova me rrjetet e fuqishme të kartelave.

Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) që e ka Gazeta Insajderi, dyshohet se të pandehurit kishin krijuar një strukturë mirë të organizuar që merrej me transportimin e sasive të mëdha të kokainës, heroinës dhe marihuanës.

Narkotikët trafikoheshin nga Amerika Latine, Irani dhe Turqia, për të kaluar përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë drejt Kosovës, e më pas për t’u shpërndarë në Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Gjermani, Zvicër dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian.

Hetimet zbuluan se pjesëtarët e këtij grupi dyshohet se përdornin pajisje me shtypje (presë) për paketimin e drogës, e përzienin atë me sodë bikarbonat për rritjen e peshës dhe e kamuflonin nëpër kontejnerë mallrash apo automjete udhëtarësh të përshtatura enkas me bunkerë dhe dysheme të dyfishta (siç rezultoi me veturat e të pandehurve Armend Ismajli dhe Blerim Sharapolli).

Për më tepër, dosja përmban të dhëna ku pretendohet se anëtarët e grupit posedonin identitete të rreme dhe pasaporta të falsifikuara të lëshuara nga shtete të ndryshme, përfshirë Serbinë e Maqedoninë e Veriut, për t’iu shmangur kontrolleve kufitare dhe fletarresteve ndërkombëtare.

Vendimi i parë- tetor 2025: Paraburgim strikt për 21 të dyshuarit

Më 30 tetor 2025, Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Valon Kurtaj, mori aktvendimin PPPS.nr.50/2024 përmes të cilit ai aprovoi kërkesën e PSRK-së dhe ua vazhdoi masën e paraburgimit për dy muaj të gjithë të pandehurve.

Gjyqtari Kurtaj në atë kohë e arsyetoi paraburgimin me rrezikun e lartë të ikjes për shkak të dënimeve të rënda që u kanoseshin, së paku 7 vjet burgim, rrezikun e asgjësimit apo ndryshimit të provave materiale, mundësinë e ndikimit në dëshmitarë e bashkëpandehur, si dhe rrezikun real të përsëritjes së veprave penale.

Të dyshuarit që u dërguan dhe u mbajtën në paraburgim me këtë vendim të gjyqtarit Valon Kurtaj në tetor 2025 ishin: Rexhep Nikqi, Ragip Bislimi (i njohur edhe me identitete/nofka të tjera si “Gipa”, Bajram Dibrani, Robert Zefi, Turan Sulejmanoski), Armend Ismajli, Abedin Gjakova (“Beti” / Albert Gjakova), Erduan Ismajli, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli (“Bleki”), Elez Elezi, Rifat Vuçetaj, Roland Beqiri (Kushtrim Pllunci), Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj (“Dyshi”), Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajic.

Shtator 2026 | Apeli liron tre të dyshuar kundrejt alarmit të Prokurorisë Speciale

Gjatë vitit 2026, gjyqtari Valon Kurtaj u avancua profesionalisht duke u emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit – Departamenti Special.

Më 17 shtator 2026, Kolegji i Gjykatës së Apelit shqyrtoi ankesat e parashtruara kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 02.09.2026. Përbërja e këtij Kolegjit në Apel përbëhej nga gjyqtarët: Avni Mehmeti si kryetar i kolegjit, Albina Shabani Rama dhe Valon Kurtaj, të dy anëtarë kolegjit.

Me aktvendimin e tij Kolegji i Apelit refuzoi si të pabazuara të gjitha ankesat dhe vërtetoi vendimin e shkallës së parë:

Apeli me këtë përbërje la në paraburgim të dyshuarit Rexhep Nikqi, Ragip Bislimi, Abedin Gjakova, Erduan Ismaili, Blerim Sharapolli, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Kenan Brovina dhe Safet Ljajic.

Në të njëjtin vendim, ky kolegj, refuzoi ankesën e PSRK-së dhe lirimi me dorëzani i 3 të dyshuarve që Gjykata Themelore kishte vendosur që t’ua ndërpresë paraburgimin tre prej të pandehurve kryesorë – Armend Ismajli, Edin Berisha dhe Lorik Tigani – duke u caktuar masën e dorëzanisë prej dhjetë mijë euro secilit, sekuestrimin e pasaportave dhe detyrimin për të dhënë premtimin se nuk do të fshihen.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ushtruar ankesë dramatike në Apel, duke kundërshtuar ashpër lirimin e tyre. Në ankesën e PSRK-së theksohej se gjykata kishte bërë vlerësim të gabuar dhe se “gjykata ka pranuar individualizimin e dyshimit të bazuar të veprimeve të të pandehurve”.

Çfarë shkruan Prokuroria Speciale në ankesë për tre të liruarit?

Prokuroria Speciale zbërtheu në mënyrë të detajuar rolin e secilit prej tre të pandehurve të cilët u liruan me dorëzani, duke treguar rrezikshmërinë e lartë të tyre nëse mbrohen në liri.

Për Armend Ismajlin: Inspektimi i PSRK-së zbulonte se ai nuk ishte thjesht një person periferik. “Gjykata nuk ka vlerësuar në mënyrë të plotë rrethanat lidhur me të pandehurin Armend Ismajli, pasi që ai nuk ka qenë më i periferik apo rastësor, pasi që i njëjti ka bashkëpunuar ngushtë me të pandehurin Ragip Bislimin në transportim të narkotikëve si dhe ka patur dy vetura të cilat kanë qenë me hapësira të improvizuara, me të cilat është transportuar sasia e narkotikëve”, thuhet në ankesën e prokurorisë. Më tej, PSRK alarmonte se “po ashtu tek i njëjti janë gjetur dokumente të identitetit të falsifikuara për të pandehurin Ragip Bislimi. Pra gjetja e këtyre dokumenteve tek i njëjti nënkupton se ai ka lidhje me mekanizmat e përdorur nga persona të kësaj strukture për fshehjen e identitetit dhe shmangien nga autoritetet”.

Për Edin Berishën PSRK përsërit se “gjykata nuk ka vlerësuar rrethanat individuale, kjo pasi që prokuroria ka individualizuar veprimet e të njëjtit”. Prokuroria ia atribuon atij PIN kodin OOOSOA në platformën Sky ECC dhe komunikime me persona të tjerë të përfshirë në aktivitetin e dyshuar kriminal brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës.

“Roli i tij është i lidhur me veprimtari transnacionale me përdorim të mjeteve logjistike të posaçme, kontakte jashtë vendit dhe bartjen e narkotikëve si dhe të ardhurave të narkotikëve”, theksonte PSRK në ankesë.

Te Lorik Tigani PSRK-ja vuri në spikatmë rolin e tij operativ në përpunimin e heroinës në Kosovë.

“Policia ka paraqitur të dhëna konkrete dhe të individualizuara, atij i atribuohet PIN kodi OMH125 përmes të cilit ka komunikuar me persona brenda dhe jashtë Kosovës, ai ka një rol të rëndësishëm kriminal në aktivitetin e trafikimit të drogës. I njëjti së bashku me Onur Vizdik ishin përgjegjës për pranimin e heroinës në Kosovë, përzierjen dhe ripaketimin e saj varësisht nga udhëzimet e tregut…”, thotë PSRK dhe insiston se “gjykata nuk është dashur ta marrë parasysh se i njëjti nuk e ka përsëritur veprën penale por është dashur të marrë parasysh rolin, vazhdimësinë e lidhjeve, kapacitetin etj., për të rifilluar veprimtarinë në rast të lirimit”.

Sa i përket shumës prej 10 mijë eurove si dorëzani, PSRK e quajti atë mjet të pamjaftueshëm kontrolli.

“Dorëzania si masë e shqiptuar nga gjykata së bashku me sekuestrimin e pasaportave dhe obligimet e tjera nuk është garanci e mjaftueshme se mund të neutralizohet rreziku i komunikimit me personat e tjerë të përfshirë në hetim, ndikimit në persona të tretë apo koordinimit me prova dhe pasuri të pasiguruara”, thotë prokuroria në ankesë.

Përkundër këtyre alarmeve të drejtpërdrejta, Kolegji i Apelit – ku bënte pjesë vetë gjyqtari Valon Kurtaj – e refuzoi ankesën e Prokurorisë Speciale dhe vulosi lirimin nga paraburgimi të Armend Ismajlit, Edin Berishës dhe Lorik Tiganit.

JU REKOMANDOJMË

Sekretari amerikan i Shtetit reagon pas incidentit të dyshimtë pranë bazës ajrore britanike

Sekretari amerikan i Shtetit reagon pas incidentit të dyshimtë pranë bazës ajrore britanike
29/09/2026 - 16:22

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se incidenti i dyshimtë pranë bazës ajrore britanike RAF Fairford “qartësisht përfshin duart e një aktori të huaj”, ndërsa hetimet...

Më shumëDetails

Prokuroria Speciale fton zyrtarët e Listës Serbe, dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera

Prokuroria Speciale fton zyrtarët e Listës Serbe, dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera
29/09/2026 - 15:58

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka bërë të ditur se ai dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj partie kanë marrë thirrje, në cilësinë e të dyshuarve,...

Më shumëDetails

Komandantë të ushtrive shqiptare dhe kroate vijnë në FSK, diskutohet për koordinim e ushtrime të përbashkëta

Komandantë të ushtrive shqiptare dhe kroate vijnë në FSK, diskutohet për koordinim e ushtrime të përbashkëta
29/09/2026 - 15:48

Komandanti i FSK’së, Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Republikës së Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale...

Më shumëDetails

I dëmtuari në gjykimin ndaj Curri, Maqanit, Thaqit, Bojkut dhe Nikës : Pash që po më shkatërronin me kamatë e borxh

I dëmtuari në gjykimin ndaj Curri, Maqanit, Thaqit, Bojkut dhe Nikës : Pash që po më shkatërronin me kamatë e borxh
29/09/2026 - 15:31

Në gjykimin ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Mentor Maqanit, Adil Thaqit, Ilir Bojkut dhe Sami Nikës, të akuzuar për fajde, detyrim dhe mashtrim, të martën në...

Më shumëDetails

“Sigali” i Avni Ponarit përfshihet në një aferë milionëshe për një tender që raportohet se e mori në mënyrë të dyshimtë

“Sigali” i Avni Ponarit përfshihet në një aferë milionëshe për një tender që raportohet se e mori në mënyrë të dyshimtë
29/09/2026 - 15:23

Kompania “Sigal”, në pronësi të sipërmarrësit Avni Ponari, ka fituar një tender pa garë reale, me vlerë prej më shumë se 1.8 milionë euro, për sigurimin e aseteve...

Më shumëDetails

Noel Malcolm merr diplomë nderi nga Harvardi, universiteti e përmend punën e tij për Kosovën, citojnë edhe Kurtin

Noel Malcolm merr diplomë nderi nga Harvardi, universiteti e përmend punën e tij për Kosovën, citojnë edhe Kurtin
29/09/2026 - 15:14

Universiteti i Harvardit ka njoftuar më herët gjatë këtij viti se historianit të njohur Noel Malcolm i është ndarë diplomë nderi. Në këtë njoftim, universiteti ka cituar edhe...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Lotina dhe Mozziku më të dashuruar se kurrë, pozojnë të lumtur krah njëri-tjetrit

    Me një foto intime, Lotina uron Mozzikun për 31-vjetorin e lindjes

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • Gani Geci e gjen vëllain e Fabio Caldinit që shau dhe akuzoi rëndë: “Më kërkoi falje, por puna nuk mbaron këtu”

    120 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • VV dhe PDK bashkë në qeverisje? Rrustem Mustafa vjen me propozimin e papritur për “Koalicionin e Madh”

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • “Penthouse” pa leje e 716 mijë euro dobi pasurore – si dyshohet se pushteti i Aleancës ia mundësoi ndërtimin vjehrrit të deputetes

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • Këta janë gjyqtarët e Apelit në rastin e krerëve të UÇK-së

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë