Kryediplomatja, Donika Gërvalla, ka thënë se Këshilli i Ministrave i Këshillit të Evropës nuk e kanë futur në agjendë anëtarësimit e Kosovës dhe as nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshmë në lidhje me këtë çështje.
Gërvalla tha se ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Kosovës, e cila në opinionin e saj ka thënë se Kosova duhet të anëtarësohet pa parakushte shtesë.
“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit”.
“Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, shkroi Gërvalla.
Tutje, Gërvalla tha se pavarësisht Opinionit të Asamblesë Parlamentare dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtarë të KiE-së i kanë dhënë mbështetje fushatës lobuese të Serbisë.
“Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE). Nga opinioni i Departamentit Ligjor të Këshillit të Evropës që konfirmon se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësim si shtet evropian, nga votimi i ambasadorëve më 24 prill 2023 me 33 vota për nga 46 sosh, nga raporti pozitiv i tre juristëve eminentë te raporti i raportueses Dora Bakoyannis, nga dy mbledhjet e Këshillit për Çështje Politike e Demokraci (në Paris me 27 mars dhe në Strasbourg më 16 prill 2024) e deri te votimi i Asamblesë Parlamentare më 16 prill 2024 me 131 vota për, kundrejt 29 kundër”, tha ajo.













