Erion Veliaj ka reaguar nga burgu, duke publikuar një letër që, sipas tij, përmban të vërtetën e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, i cili e kishte vizituar në qeli pas 20 muajsh. Reagimi vjen pas debatit publik mbi arsyet e kësaj vizite, të cilën Gogu e kishte shpjeguar si një interesim për gjendjen e kryebashkiakut të Tiranës.
Në letrën e publikuar, Veliaj pretendon se Gogu i ka përcjellë porosi të Edi Ramës lidhur me transferimin dhe kushtet e qëndrimit në burg, duke i kërkuar, sipas tij, të pranojë përfshirjen në organizimin ose financimin e protestave studentore, të heqë dorë nga Bashkia e Tiranës dhe të ndërpresë komunikimin me Plarent Ndrecën.
Veliaj i ka cilësuar këto si presione politike dhe ka sfiduar kryeministrin Rama të paraqesë prova për pretendimet se ai ka organizuar apo financuar protestat. Nga ana tjetër, ministri Gogu e ka mohuar se ka ushtruar presion ndaj Veliajt, duke deklaruar se vizita kishte për qëllim interesimin për gjendjen e tij.
Në reagimin e tij, Veliaj thotë se i është kërkuar të heq dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t’ia delegoj Arbër Hajdarit
Ndryshe, Arbër Hajdari është i martuar me vajzën e Blerim Devollit, biznesmenit të fuqishëm nga Kosova, i cili nga Lëvizja Vetëvendosje është akuzuar vazhdimisht se ka përfituar padrejtësisht ndër vite nga asetet publike.
Reagimi i Erion Velijaj:
Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim.
Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai.
Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time.
Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave.
Ndryshe ik!
Letra e plotë:
E premte, ora 22:30
Toni Gogu vjen në takim pas 20 muajsh.
TG: R ka bërë transferimin, urdhër që ky nga konvikt duhet të bëjë burg tamam dhe që personalisht është marrë dhe me lejen për spital, lejet për takime, deri te aksesi tek miqtë e familja.
R ka bypass TG dhe ka urdhëruar vetë transferimin e izolimin me këto 3 kërkesa:
– Prano përfshirjen me Flamingot – Studentët ose do të shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues” nga burgu e do bësh 100 vjet burg në 313 e 302.
– Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari).
– Mos u këshillo më me Plarent Ndrecën.















