Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitët tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses dy ekstradime.
Gjatë ditës së sotme është ekstraduar nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë, shtetasi kosovar G.K., pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë kosovare, i përfshirë në veprat penale: ‘Vjedhja e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, i dënuar me burgim efektiv prej 3 viteve.
Ekstradimi është realizuar në pikë kalimin kuftar “Hani i Elezit”, ku i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë DRP Prizren për procedura të mëtutjeshme ligjore.
Po të njëjten ditë është ekstraduar nga Kosova për në Gjermani, shtetasi gjerman F.R., pasi që i njëjti kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë gjermane, i përfshirë në veprat penale: ‘Trafikimi me narkotikë’.
Ekstradimi është realizuar në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ku i dyshuari u është dorëzuar zyrtarëve përgjegjës të policisë gjermane për procedura të mëtutjeshme ligjore.













