Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Refuzimi si motiv – raportet Kosovë Spanjë nga prizmi personal

11/01/2024 - 13:33
në Opinione
A A
Refuzimi si motiv – raportet Kosovë Spanjë nga prizmi personal
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp
OSE

Shkruan: Bernard Nikaj

1.

Spanja më në fund njohu zyrtarisht pasaportat e lëshuara nga Republika e Kosovës. Ky është një hap relativisht i vogël për Kosovën politikisht, mirëpo një hap shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Mbi te gjitha, ky hap, mundëson një shkëmbim të shtuar kulturor, ekonomik e arsimor në mes të dy vendeve, e që si rezultat do të lehtësojë edhe përparimin e marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe Spanjës.

Edhe në këtë rast, meritat janë të gjithkujt e dështimet te askujt, mirëpo merita me e madhe i takon Bashkimit Evropian dhe besimit që ëndrra e një Evrope të unifikuar është përbashkuese, edhe pse mund të jetë e ngadaltë.

Në këto vite të refuzimit spanjoll ndaj Kosovës dhe realitetit të pavarësisë, jam i bindur se shumë qytetarë të Kosovës kanë përvojat e tyre personale, pozitive e negative me Spanjën.

Unë sot do të ndaj dy nga përvojat e mia me Spanjën, në dy kontekste krejtësisht te ndryshme, por që gjithashtu ilustrojnë sfidën tonë, si qytetarë e si shoqëri e Kosovës, për të qenë pjesë e barabartë e popujve të lirë evropianë e botërorë.

2.

Rreth 15 vjet me parë, vendosa te pranoj ofertën e Universitetit të Hapur të Katalunjes (Universita Oberta de Catalynia) për të vazhduar studimet e doktoratës në Qendrën IN3 (Internet Interdisciplinary Institute) që merrej me studimin e transformimit shoqëror e ekonomik të ndikuar nga teknologjitë e reja. Qendra, në atë kohe udhëhiqej nga Manuel Castells, njëri ndër mendimtarët më të spikatur të kësaj fushe, dhe kishte në kuadër të vetin profesorë e studiues me renome botërore. Edhe me i rëndësishëm ishte fakti që IN3 më kishte ofruar bursë të plotë për të mbuluar shpenzimet e studimit dhe jetesës në Barcelonë për një periudhë 4 vjeçare.

Me shumë entuziazëm mora vizën në Ambasadën e Spanjës në Shkup. Natyrisht, viza nuk mu dha në pasaportë, por në një copë letre. Kjo copë letrës me beri shumë telashe në aeroportin e Vjenës, meqë polici kufitar nuk e kuptonte se pse viza nuk ishte në pasaportë. Ishin vitet e para pas pavarësisë së Kosovës dhe policia kufitare ende nuk ishte e informuar plotësisht me rastin “sui generis” të Kosovës, prandaj edhe udhëtimet tona ishin “sui generis”.

Pavarësisht kësaj, arrita ne Barcelone.

Barcelona është mahnitëse. Edhe pse kisha jetuar në Londër, sa herë ecja nëpër rrugët e Barcelonës, mahnitesha me arkitekturën e qytetit, prej Sagrada Familias e deri tek Casa Batllo te Antonio Gaudit, prej Placa de Catalynia e deri tek Camp Nou. Edhe me mahnitëse me dukej atmosfera në El Raval dhe diskutimet e gjata që zhvillonim me kolegët e mi nga instituti, shpesh deri natën vone.

Në atë kohë, të ishe nga Kosova në Barcelonë ishte mjaft ekzotike. Shumë nga akademikët e kolegët e mi katalan provonin të tërhiqnin paralele ndërmjet pavarësisë së Kosovës dhe kauzës katalane për pavarësi nga Spanja. Se kisha menduar atëherë, por kjo do të behej arsyeja qëndrore e refuzimit të stërzgjatur të Spanjës ndaj Kosovës.

Magjepsja ime me Barcelonën, u zbeh posa u drejtova në njërën nga zyrat komunale për të rregulluar leje qëndrimin tim. Pasi prita disa orë, meqë kualiteti i shërbimeve administrative në atë kohë më shumë ngjante në vendet në zhvillim sesa në një vend evropian, zyrtari administrativ ishte aq i indinjuar kur e pa pasaportën time, saqë gati ma përplasi për fytyre.

“Është e pamundur të merrni leje qëndrim në Spanjë me këtë pasaporte. Pike.”

I zhgënjyer, por jo i dekurajuar, u ktheva në Institut dhe i shpjegova personave përgjegjës situatën. Ata morën përsipër të bisedonin me institucionet përkatëse. Fatkeqësisht, pas disa javësh, kuptova që edhe ata kishin qenë aq të pasuksesshëm po aq sa unë.

Kur më skadoi viza në letër, u largova nga Barcelona. Edhe pse isha larguar, nuk mu shua shpresa edhe për disa muaj, por të gjitha përpjekjet ishin të pasuksesshme.

Vitin tjetër e vazhdova doktoratën në Maastricht. Ani pse Maastrichti e Holanda ishin po aq impresive, një pjese e imja mbeti përgjithmonë e zhgënjyer nga përvoja me Spanjën.

3.

Vite më vonë, raportet Kosovë – Spanjë u bënë pjesë e punës sime të përditshme, në rolin e Ambasadorit të Kosovës në Bruksel. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, raportet me shtetet mos njohëse, e posaçërisht me pesëshen në kuadër te BE-së e kanë definuar progresin drejt objektivave tona euro-atlantike.

Ambasadori i Kosovës ne Bruksel, jo vetëm unë por të gjithë paraardhësit dhe pasardhësit e mi, është në pozicion kyç për të shtyrë përpara raportet me vendet mos njohëse të BE-së. Duke qenë që nga Brukseli mbulohet BE, NATO, Belgjika dhe Luksemburgu, ambasada dhe ambasadori kanë kontakt më së paku katër misione të këtyre vendeve mos njohëse.

Gjatë viteve të kaluara në Bruksel, kishim arritur të vendosim kontakte të mira me të gjitha mos njohëset. Me shumicën takoheshim në nivel ambasadorësh, qoftë nëpër Ambasada ose nëpër vende neutrale, por Spanja ka qenë gjithmonë e veçantë. Ambasadorët refuzonin takimet formale dhe jo formale, madje edhe ruheshin të mos shihen në prani të zyrtarëve të Kosovës nëpër pritjet apo organizimet formale në Bruksel. Mirëpo, pas përpjekjeve të vazhdueshme, kishim arritur që së paku të kemi një kanal komunikimi në nivel diplomatësh. Ndoshta të vetmin kanal komunikimi në atë kohë.

Kthimi i socialistëve në pushtet në Spanjë, zbuti sadopak pozicionin e këtij shtetit spanjoll ndaj Kosovës. Rezultatet më konkrete janë vërejtur gjatë takimeve të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Përderisa, gjatë qeverisjes së Kryeministrit Rajoy, Spanja refuzonte të ulej në tavoline ku ishte prezente Kosova, posaçërisht në nivel politik (p.sh. në Samitin e Sofjes), me ardhjen e Kryministrit Sanchez, filluan të relaksohen qëndrimet spanjolle.

Pavarësisht raporteve tona bilaterale, zyrtarët e BE-së si dhe liderët e vendeve mike, në vazhdimësi kanë lobuar tek Spanja lidhur me raportet me Kosovën. Të panumërta kanë qenë rastet kur Drejtori Gjeneral i Drejtorisë për Zgjerim është kthyer nga vizita ne Madrid dhe është takuar me mua për të më përcjellë qëndrimet spanjolle. Janë të panumërta rastet kur ambasadorët e vendeve tjera evropiane në NATO me janë afruar për të sqaruar një pozicion ose një tjetër të Kosovës në raport me dialogun apo në raport me tranzicionin e FSK-së me qëllim që këto pozicione ti ndajnë me kolegët e tyre spanjoll.

Kah fundi i mandatit tim, duke biseduar me një Ambasador të një vendi mik evropian në NATO, I shpjegova raportin Kosovë – Spanjë, si dhe vështirësinë e komunikimit ndërmjet dy vendeve. U habit. ”Me lejo të flas me të dhe do të provoj t’ju ftoj së bashku për darkë në rezidencën time”. Javë më vonë, më lajmëroi që e kishte bindur Ambasadorin e Spanjës në NATO që të darkojmë së bashku, por me kushtin që arsyeja e takimit mos të ishte takimi mes nesh, por ndonjë vizitë e ndonjë zyrtari të lartë nga Kosova.

Fatkeqësisht, pandemia kufizoi mundësitë e takimeve fizike.

Gjate kohës në Bruksel, shpesh e kam kujtuar përvojën time në Barcelonë. Përvoja ime më ka motivuar vazhdimisht të provoj të hap kanale të reja mes dy vendeve, me qëllim që sadopak të avancojmë mundësitë e shkëmbimeve mes dy vendeve, e te zvogëlojmë mundësitë e përsëritjes së përvojës sime.

4.

Për mua dhe gjeneratën time besoj, refuzimi nga Spanja nuk është kthyer në urrejtje e dëshpërim ndaj Spanjës, por në vullnet për punë e për përpjekje për ta ndërruar këtë realitet. Sado i dëshpëruar të kem qenë nga përvoja ime në Barcelonë, dëshpërimi më është kthyer në vullnet e jo në urrejtje.

Sot, Kosova është e fundit në procesin e anëtarësimit në Bashkim Evropian. Ky fakt mund të interpretohet si refuzim nga ana e BE-së. Pajtohemi të gjithë që shumë nga përvojat tona si Kosovë në raport me BE-në kanë qenë të padrejta. Mund të ketë edhe raste tjera kur do të ndihemi të diskriminuar. Por realiteti nuk është gjithmonë bardh e zi.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës do të hapë mundësi të reja në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por edhe me vendet anëtare të BE-së. E njëjta ka ndodhur kur është arritur Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA). Njohja e pasaportave nga Spanja është vetëm një rezultat i vogël i liberalizimit te vizave.

Është më se e domosdoshme që të nxjerrim mësimet nga procesi i liberalizimit të vizave. Jo vetëm për padrejtësitë e BE-së, por edhe për gabimet tona. Për refuzimin kryeneç për të ratifikuar demarkacionin e për vendosjen e qëllimeve afatshkurta politike mbi qëllimet afatgjata shtetërore.

​Na presin edhe shumë sfida deri te anëtarësimi i plotë në BE. Por më i rëndësishëm se sfidat, është besimi ynë që ne meritojmë e punojmë për të qenë pjesë e barabartë e familjes Evropiane.

JU REKOMANDOJMË

Nevoja për kthjelltësi strategjike në kohë zhgënjimi: Lufta jonë është kundër padrejtësisë, jo kundër Perëndimit

Nevoja për kthjelltësi strategjike në kohë zhgënjimi: Lufta jonë është kundër padrejtësisë, jo kundër Perëndimit
19/09/2026 - 14:05

Shkruan: Adri Nurellari Dënimi i udhëheqësve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara ka shkaktuar me të drejtë zemërim, pikëllim dhe ndjenjën e një padrejtësie të thellë. Mirëpo, krahas...

Më shumëDetails

Aktgjykimi që mohoi jurisprudencën ndërkombëtare

Aktgjykimi që mohoi jurisprudencën ndërkombëtare
18/09/2026 - 11:42

VENDIMI I 16 SHTATORIT-THIKË PAS SHPINE PAVARËSISË SË KOSOVËS Shkruan: Bardhyl Mahmuti Reagimet e shumta në të katër anët e botës ndaj vendimit të 16 shtatorit, ka nxitur...

Më shumëDetails

Kuvendi të kërkojë verifikim kombëtar: Nëse Dhomat e Specializuara kanë tejkaluar mandatin, të shqyrtohet marrja e autorizimeve

Kuvendi të kërkojë verifikim kombëtar: Nëse Dhomat e Specializuara kanë tejkaluar mandatin, të shqyrtohet marrja e autorizimeve
17/09/2026 - 22:39

Aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka krijuar një situatë të re dhe jashtëzakonisht të ndjeshme për Republikën e...

Më shumëDetails

Ben Blushi: Pse u dënua Hashimi

Ben Blushi: Pse u dënua Hashimi
16/09/2026 - 18:39

Shkruan: Ben Blushi Për fat të keq isha i bindur se Hashim Thaci dhe shokët e tij do dënoheshin. Edhe vetë Hashimi e dinte. Kur pashë fytyrën e...

Më shumëDetails

Haga burgosi presidentin themelues të Kosovës. Trump mund ta trajtojë këtë gjykatë njësoj siç trajtoi GJNP-në

Haga burgosi presidentin themelues të Kosovës. Trump mund ta trajtojë këtë gjykatë njësoj siç trajtoi GJNP-në
16/09/2026 - 14:36

Shkruan: James Frinzi Të mërkurën, një gjykatë që Kosova nuk e ka dashur kurrë e dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burg. Dhomat e Specializuara të Kosovës në...

Më shumëDetails

Pse do të marshoj për lirinë?

Pse do të marshoj për lirinë?
11/09/2026 - 21:30

Shkruan: Naim Kryeziu Kam lindur më 10 maj 2003. Luftën nuk e kam përjetuar. Për UÇK-në kam dëgjuar nga të tjerët, nga familjarët, nga dëshmitë e atyre që...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Dardan Krasniqi tërheq postimin për Gani Gecin, publikon edhe pjesën videos ku realisht ai kishte thënë se Idriz Rrecin e ka vra Serbia

    Dardan Krasniqi tërheq postimin për Gani Gecin, publikon edhe pjesën videos ku realisht ai kishte thënë se Idriz Rrecin e ka vra Serbia

    100 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Dardan Krasniqi e akuzon Gani Gecin për rastin e veprimtarit Rreci: “Marre, turp, tradhti!”

    95 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Qytetarët mblidhen në shesh, ndjekin live seancën e Speciales në Hagë

    92 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • 4 vjet e gjysmë burgim për biznesmenin Vesel Jusaj për vdekjen e 40-vjeçarit në “Delta Group”

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • Pas incidentit me Jozin, Edi “bëhet i gjallë” me një postim

    80 Shpërndaje
    Shpërndaje 32 Tweet 20

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë