Sistemi i mbrojtjes raketore “Kupola e Artë”, projekt kyç i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, do të përfshijë katër shtresa – një me bazë satelitore dhe tri në tokë – me 11 bateri me raketa me rreze të shkurtër të vendosura në mbarë territorin kryesor të ShBA-së, në Alaskë e në Hawaii, sipas një prezantimi qeveritar të projektit për të cilin së pari ka raportuar agjencia “Reuters”.
Slajdet e prezantimit u paraqitën para tre mijë kontraktorëve të mbrojtjes në Alabama javën e kaluar dhe në to zbulohet ndërlikueshmëria e pashembullt e sistemit, i cili përballet me një afat ambicioz për vënie në funksion më 2028. Afati është caktuar nga Trumpi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Vlerësohet se sistemi i mbrojtjes raketore do të kushtojë 175 miliardë dollarë, por prezantimi tregoi se ende ka paqartësi për arkitekturën themelore të projektit për shkak se nuk janë përcaktuar ende numrat e raketahedhësve, penguesve, stacioneve tokësore dhe zonave raketore që do t’i nevojiten sistemit.
“Ata kanë shumë para, por ende nuk kanë një cak se sa do të kushtojë ky [projekt]” – tha një zyrtar amerikan. Deri më tani, Kongresi ka ndarë 25 miliardë dollarë për “Kupolën e Artë” në projektligjin e Trumpit për buxhetin, i cili u miratua muajin e kaluar. 45,3 miliardë dollarë të tjerë janë planifikuar për këtë sistem në kërkesën presidenciale për buxhetin e vitit 2026.
I synuar si mburojë mbrojtëse raketore shumështresore për Shtetet e Bashkuara, “Kupola e Artë” është frymëzuar nga sistemi “Kupola e Hekurt” e Izraelit, por është dukshëm më e madhe për shkak të territoreve që do të duhet t’i mbrojë dhe ndërlikueshmërisë për shkak të kërcënimeve të ndryshme me të cilat do të ballafaqohet.
Sipas prezantimit me slajde, arkitektura e sistemit përbëhet nga katër shtresa të integruara: një shtresë me bazë në hapësirë, e cila do të shërbejë për zbulim dhe shënjestrim si paralajmërim për raketa dhe përcjelljen e tyre si dhe për mbrojtje raketore dhe tri shtresa me bazë tokësore që do të përbëhen nga penguesit e raketave, një grup radarësh dhe potencialisht edhe nga laserët.
Befasi ishte një fushë e madhe e re raketore për Penguesit e Gjeneratës së Ardhshme, të cilët prodhohen nga kompania “Lockheed Martin” dhe do të ishin pjesë e “shtresës së sipërme” bashkë me sistemet THAAD, që gjithashtu prodhohen nga e njëjta kompani.
Në slajde nuk u përmend kompania e miliarderit Elon Musk, “SpaceX”, e cila ishte pjesë e konkurrencës për kontrata të sistemit “Kupola e Artë” bashkë me prodhuesin e softuerëve “Palantir” dhe prodhuesin e sistemeve të mbrojtjes, “Anduril”.
Pentagoni tha se është duke grumbulluar të dhëna “nga industria, fusha akademike, laboratorët kombëtarë dhe agjenci të tjera qeveritare për mbështetje për Kupolën e Artë”, por se do të ishte “e nxituar” që të lëshoheshin më shumë informata për programin në këto fazë të hershme.












