Ministrja në detyrë, dhe deputetja e betuar Artane Rizvanolli, ka arsyetuar shitjen e thëngjillit në Maqedoninë e Veriut për tri vitet e ardhshme, duke e mbrojtur kontratën e nënshkruar mes KEK-ut dhe ESM-së, me vlerë prej 73.2 milionë eurosh.
Postimi i plotë:
Përgjatë tri viteve, KEK-u do të eksportojë deri në 73.2 milionë euro thëngjill në Maqedoninë e Veriut.
Për herë të parë, kontrata është lidhur mes dy kompanive publike, KEK-ut dhe ESM-së.
Çmimi prej 24.4 eurosh për ton, pa TVSH, është shumëfish më i favorshëm për KEK-un, krahasuar me kontratat e kaluara që bëheshin përmes ndërmjetësuesve. Për shembull, herën e fundit që Kosova ka eksportuar thëngjill në Maqedoninë e Veriut, KEK-u e ka shitur atë përmes një tenderi të jashtëligjshëm, me çmim prej vetëm 8 eurosh për ton, duke përfshirë tantiemën prej 3 eurosh dhe TVSH-në prej 18%.
Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë nuk ndikohet në asnjë mënyrë nga kjo kontratë, duke qenë se ESM-ja është përgjegjëse për eskavimin dhe transportin e thëngjillit që do ta blejë.














