Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Albin Kurti nëse i kanë 66 votat, lidhur me propozimin për President nga kjo parti, ku është përmendur emri i ish-Presidentes Vjosa Osmani.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK’së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se pyetja për VV’në mbetet e njëjtë – se a i ka 66 vota për propozimin e kësaj partie.
Sipas saj, pa një përgjigje të qartë për këtë pyetje, çdo diskutim tjetër është i pamjaftueshëm për zgjidhjen e situatës institucionale.
“Dy orë diskutime në një seancë që i ngjante më shumë një platforme partiake sesa një procesi institucional. Asnjë trajtim, asnjë fjalë, asnjë qëndrim për propozimin tonë: çështjen e vetme thelbësore, pra zgjidhjen konkrete për President. Pyetja mbetet e njëjtë, e drejtpërdrejtë dhe e domosdoshme: A i keni 66 vota për propozimin tonë?”, ka shkruar ajo.
Edhe deputeti i LDK’së, Ermal Sadiku, ka dalë me reagim ku ka thënë se propozimi është dhënë nga kjo parti, por se ku janë 66 votat e VV’së.
“Albini, propozimin e dhamë. Ku janë 66 votat tuaja? Për dy orë demagogji, nuk dëgjuam asnjë përgjigje konkrete. E vërteta është e thjeshtë: kërkon probleme, kërkon zgjedhje para zgjedhjeve pas zgjedhjeve, pa asnjë zgjidhje. Një kryeministër në detyrë që nuk arrin të kryejë punën me 51%”, ka shkruar Sadiku.
Pyetjen e njëjtë e ka parashtruar edhe deputetja tjetër Doarsa Kica-Xhelili.
“2 orë seancë për të MOS u përgjigjur në NJË PYETJE: A i keni 66 vota për Vjosa Osmanin? Sepse nëse i keni, thuajeni qartë. Publikisht. Pa e keqpërdorur Kuvendin për improvizime. E nëse nuk i keni, atëherë duhet ta pranoni të vërtetën: seanca u ftua ekskluzivisht për bartje faji. Për t’a përdorur procesin për propagandë”, ka shkruar ajo./Reporteri














