Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka thënë se nuk ka synime për poste në një qeveri eventuale mes koalicionit LVV-LDK.
Sipas tij, vendimet për ndarjen e posteve në një qeveri i takojnë partisë dhe të njëjtat vendime do t’i zbatojë.
“Nuk kam hy në politikë për me marrë pozita. Për 15 vjet kam qenë në pozita. Kam ndërtuar kompani dhe i kam fituar vetë të gjitha pozitat. Kurrë nuk ma ka fal askush asnjë pozitë. Të gjitha i kam fituar me punë e angazhim. Për ministri të zgjedh partia, por nuk më lenë përshtypje”, ka thënë mes të tjerash Sadiku në Paradoks.
Ai ka dhënë shpjegime edhe për komentet e qytetarëve lidhur me pretendimet për një marrëveshje të mundshme mes LVV-së e LDK-së për çka tha se nuk është aspak e lehtë.
“Nuk është lehtë me kritiku një qeveri dhe një kryeministër si Kurti e me dal mu bo ministër i tij. Kush mendon që është e lehtë po gabon rëndë. Mendoj se një ministër është mirë me dit çka po don dhe me ja dit vetës kapacitet. Përzgjedhja e pozitave i takon partisë dhe nuk do të thotë me qenë unë. Në Kosovë ka njerëz që nuk janë të partisë e nuk janë politikë mirëpo munden me dit me bo këtë punë ma mirë se unë. Nuk më mbetet hatri dhe nuk kam me insistu për një gjë të tillë”, ka thënë Sadiku në Paradoks.













