Bekim Sejdiu ka përsëritur edhe njëherë tjetër qëndrimin e tij për heqjen dorën nga kandidimi për president.
“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, thuhet në njoftimin e Sejdiut.
Profesori universitar ka thënë se e ka parë të nevojshme që të reagojë edhe njëherë tjetër zyrtarisht për shkak të përmendjes së emrit të tij.
Ai ka njoftuar se ka qenë në diskutime me kreun e LDK-së dhe akterët tjerë të kësaj partie, të cilët i ka falënderuar për besimin. Megjithatë, ai ka përsëritur qëndrimin e tij se është tërhequr nga gara.
“Ditëve të fundit kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me krerët e LDK-së, duke qenë se fillimisht kam qenë i ftuar nga kjo parti, kur më është ofruar posti i Presidentit (në fillim të shtatorit). Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”.
“Kryeministrin Kurti dhe Kryetarin Abdixhiku i kam falënderuar për besimin ndaj meje dhe korrektësinë në komunikimin më mua. Dëshiroj që këtë falënderim ta përsëris edhe në këtë rast. Poashtu, e vlerësoj konsideratën personale të shprehur ndaj meje nga shumë politikanë të partive të tjera. Shprehë mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë kolegët, miqtë dhe shumë personalitete nga jeta akademike dhe përtej saj, që më kanë shprehur mbështetjen e tyre”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka shprehur keqardhje për situatën në të cilën ndodhet Kosova, ndërkaq ka kërkuar reflektim nga akterët politikë.
“Nuk mund të përmbyllë këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Lë të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, ka thënë Sejdiu













