Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Shërimi i shpresës

14/05/2026 - 13:00
në Opinione
A A
Shërimi i shpresës
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

A thua ka ndryshuar diç ka pas vdekjes tragjike të dy fëmijëve në Durrës?

Shkruan: Ben Andoni

Dëgjoni uturimën e llahtarshme të motorëve dhe boritë e shfrenuara të makinave nëpër qytete, aksidentet, kundravajtësit dhe do e keni përgjigjen e duhur. A ka ndryshuar gjë në diskursin e opozitës dhe adresimin e shqetësimeve reale? Përgjigjen e keni në gjuhën e komunikimit të z. Berisha dhe të tjerëve. A është dobësuar kulti i z. Rama dhe shqetësimi publik për amullinë e shumë gjërave në vend? Përgjigjen e keni në përditshmërinë tonë dhe në atë amulli që has rëndom shqiptari. A po ndryshon gjë Kosova me bashkimin e Vjosa Osmanit, ish-presidentes, me LDK-në? Të mendosh, presidentes me formim të shkëlqyer juridik që dekretoi shumë dokumente, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ktheu bajagi shumë dhe e tregoi se ishte më shumë notere e qeverisë së z. Kurtit, të cilin tashmë e atakon me regjistër të plotë…

Çfarë duhet të besojë vërtetë shqiptari i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë nga shtetet respektive?! Pse është gjithnjë e më tepër shteti i pabarabartë me qytetarët e tij? Pse ishte aq i qetuar kryeministri i tranzitit kosovar Kurti krahas Mickovskit?! Pse PD nuk bën dot zgjedhje normale, por i përveshet kujtdo që u thotë se po veprojnë gabim?! Pse nuk ndahet pasuria me një logjikë më gjithëpërfshirëse në Kosovë e Shqipëri që janë shtete që administrohen nga shqiptarë? Pa përgjigje. Një indikator që mund ta ilustrojë këtë fakt është ajo çka ndodh në Shqipëri lidhur me shpërndarjen e depozitave bankare. Rreth 7% e popullsisë (afërsisht 12,000 individë) zotërojnë mbi 93% të totalit të aseteve në depozita! Kjo tregon një ndarje shumë të thellë midis një pakice që akumulon kapital dhe pjesës tjetër që i mbetet mbetja. Tatimet mbi pasurinë dhe mekanizmat e tjerë korrigjues nuk arrijnë as ta ulin pabarazinë në mënyrë efektive, duke lejuar që kapitali të rritet më shpejt se pagat. Shto këtu Pabarazinë e Tregut të Punës: Diferenca e madhe në të ardhura e pasqyron këtë indikator në tregun e punës, ku vetëm një pakicë e vogël punon në sektorë me produktivitet të lartë, ndërsa mbi 1/5 e popullsisë në fund të piramidës arrin të mbledhë vetëm rreth 7.5% të të ardhurave kombëtare. E po të shtosh realitetin e aseteve do të ndjesh realisht një polarizim më të fortë. Ndërkohë është fakt se Shqipëria, falë dhe konjukturave historike evropiane, po ngjitet me hap të sigurt drejt integrimit. Megjithatë kur dëgjon diskursin e politikanëve kryesorë të dy kampeve dhe veçanërisht Ramën dhe Berishën, trandesh. Politika po mundohet ta eklipsojë çdo gjë me protagonizmin e saj. “Se u lemeris dynjaja! ‘U bllokuan negociatat’, ‘u bllokuan negociatat’, ‘u bllokuan negociatat’, ‘u bllokuan negociatat’, ‘doli Gjermania, hyri Gjermania’. Si bëhet shpjegimi? Shpjegimi bëhet në radhë të parë ne duke folur me ju dhe pastaj ju duke folur me ata, me të gjithë. Njerëzit e kanë në qendër të vëmendjes këtë çështje, sepse duan që ne ta realizojmë atë për të cilën na dhanë të gjithë atë mbështetje. Ta bëjmë realitet pasaportën e Bashkimit Europian për çdo shqiptar. Atëherë që të bëhet kjo na duhet forcë”, – u shpreh Kryeministri Rama para pak kohësh. Nuk po përmendin malin me fyerje që i bëhet nga kryetari i opozitës dhe faktin e integrimit.

E gjithë kjo rrugë teknike drejt integrimit ka një sfidë të madhe brenda vendit dhe ajo quhet “shërimi” i shpresës. Plagën tonë më të madhe, të cilës i dorëzohemi. Nëse do ta marrim në formë piramidale, nëse nuk besojmë asgjë pozitive, si mund ta shndërrojmë veten dhe shoqërinë tonë, bashkë me sistemin që kemi ngritur.

Barriera më e madhe është fatalizmi, i cili e ndjek individin shqiptar dhe e has ngado. Realiteti e ushqen, me shërbimet e dobëta publike, me ikjet e mëdha të njerëzve, me çmimet e pafre dhe epërsinë që mbartin disa biznese që e nisin me pozita modeste dhe kulmojnë (!), me peshën që ka individi i thjeshtë. Për antropologët, fatalizmi i shqiptarëve (e shprehim vazhdimisht në shekullin e ekzistencës së shtetit shqiptar) është gati i ditur dhe i mirëpranuar: Justifikohet nga realiteti, ku edhe gjërat më të mira shpesh mbesin rrugëve, ku shqiptari i zakonshëm në masë jo të vogël nuk përshtatet me rregullat më normale urbane. Ndoshta fatalizmi mund të jetë edhe ajo koraca e hekurt për t’u mbrojtur dhe përgjegjësinë për ta deleguar me fjalët paradoksale: Të bëhet çfarë të bëhet! Një fund do kemi të gjithë.

Larg të tjerave duket se fataliteti ynë nuk është pa baza. Veç komunizmit dhe mbretërisë, ku u mendua disi për autoritetin dhe llogaridhënien, në pjesën më të madhe, ne i bishtnuam atyre me marifetet për t’ia hedhur sistemit në fuqi. Jemi treguar mjeshtër të krijimit të nepotizmit dhe sistemet e shkuara, bashkë me të sotmin, e kanë kthyer në art skemën e tij. Meritokracia është aq e rrallë, saqë në pak momente kur ndodh, ti vërtet ke një moment vegimi gati hyjnor. Autori i këtyre rreshtave kujton momentin, kur një nga sportistët tanë më të mëdhenj të të gjithë historisë sonë, Agim Fagu, u nderua nga ish-Presidenti Meta. Në fjalën e tij, historiani Pëllumb Xhufi, mik i tij, do të shprehej: “Janë disa njerëz që i bëjnë nder vetë vlerësimit që ata marrin, duke sjellë rastin e Fagut. Këto momente janë të rralla. Meritokracia po jep shpirt para nepotizmit dhe tarafllëkut, ashtu si drejtësia po mbetet selektive dhe cinike. Stoku i 150.000 dosjeve është argumenti më i mirë. Fati tragjik i shumë shqiptarëve të mirë dhe shpesh i profesionistëve i bën të tjerët të reagojnë thjesht: “Ky vend nuk bëhet” për të kursyer veten nga zhgënjimi i radhës. Sistemi i tanishëm godet shpesh ata që janë korrektë. Kjo është arsyeja që shoqëria shqiptare s’u kërkon më llogari zyrtarëve (tek e fundit “kot e kemi”); individi korrupton ose gjen rrugë të shkurtra manovrimi (tek e fundit “kështu bëjnë të gjithë”); u largohemi shembujve të mirë (librat e shenjtë dhe trashëgimia botërore janë të mbathur me histori shembujsh, ku njeriu nuk kërkon shpërblim) dhe nuk dedikohemi për komunitet. Mbase ka një fije shpresë dhe kjo lidhet me brezin e ri, i cili falë lëvizjes së lirë dhe shembujve të përkorë të internetit, po kupton se duhet të shmangë dhe ta përqeshë këtë fatalitet të gjyshërve, prindërve dhe vëllezërve e motrave më të mëdhenj. Tek e fundit, sistemi nuk vjen nga zotat, është ai që prodhojmë të gjithë ne. Idealistët tanë të fillimshekullit të shkuar e kuptuan mirë, por nuk ndryshuan dot thelbin. Kurse Patër Anton Harapi, një vëzhgues i hollë do shkruante në kohën e vet: “Udhëhjeksat e popujve kan bâ nji gabim të madh: kan harrue se nieri si nieri, e populli si popull, me sá mund të bâjn pa ajr e pa ushqim, aq mund të bâjn pa mirsì e drejtsì; ata rrêhen, tue kujtue se problemet e jetës nierzore mund të zhvillohen vetëm me formula, pa vlerë të njimendta shpirtnore; ata e tregojn vetin të padijshem po s’u kujtuen se e keqja s’muhet vetem me të keq e se lufta nuk ká dert per luftë. (“Hylli i Dritës”, XX, 1936). E megjithatë, ka ende mundësi për shërimin e shpresës, sepse tek e fundit çfarë na mbetet tjetër. “Ne gjithmonë shpresojmë dhe në të gjitha gjërat është më mirë të shpresojmë sesa të dëshpërohemi”. Këto fjalë të Gëtes janë si justifikim për qenien shqiptare, sepse shpresa është hyjnore dhe u vjen popujve në çaste si ky që po kalon Shqipëria e shekullit XXI, mbushur me dilema, stigma dhe dëshira. Shpresa e shqiptareve të plaguar nga shekujt edhe mund të shërohet në vetë këtë ajër social… (Homo Albanicus)

JU REKOMANDOJMË

DITA BOTËRORE E MJEDISIT

DITA BOTËRORE E MJEDISIT
05/06/2026 - 11:03

Shkruan: Msc. Labinot Smakaj  I. Një shoqëri mund të mbijetojë përkohësisht edhe pa stabilitet politik dhe ekonomik, por nuk mund të mbijetojë pa ujë të pastër, ajër të...

Më shumëDetails

Shukrije Obërtinca, 16-vjeçarja që dha jetën për lirinë e Kosovës

Shukrije Obërtinca, 16-vjeçarja që dha jetën për lirinë e Kosovës
03/06/2026 - 12:07

Shkruan: Albina Dajaku: Vajza e re nga Fushë Kosova, ajo që la pas bankat e shkollës, dëshirën për mjekësi, kursin e frizerisë dhe ëndrrat e tjera e u...

Më shumëDetails

Kur energjia është më shumë se energji: Pse Kosovës i duhet gazi amerikan

Kur energjia është më shumë se energji: Pse Kosovës i duhet gazi amerikan
26/05/2026 - 17:28

Shkruan: Arian Zeka Për shumë vite, diskutimet për energjinë në Kosovë janë përqendruar kryesisht rreth temave të zakonshme: prodhimit vendor të energjisë elektrike, importeve dhe investimeve në burime...

Më shumëDetails

Baza thellësisht klasore e mobilizimit të votuesit të Lëvizjes Vetëvendosje

Hasani: Udhëzimi për largim të kryetarëve, kundërkushtetues dhe kundërligjor
25/05/2026 - 15:43

Shkruan: Enver Hasani Për këtë arsye, marrja me programet e LVV-së dhe me atë se sa ka realizuar zoti Kurti nga premtimet e veta në qeverisjen e kaluar...

Më shumëDetails

Nga Albin Kurti te Sami Lushtaku. Historia e një gjuhe që prodhoi dhunë

Nga Albin Kurti te Sami Lushtaku. Historia e një gjuhe që prodhoi dhunë
20/05/2026 - 10:50

Përplasja mes Sami Lushtaku dhe Hysni Mehanes nuk është incident i izoluar. Ajo është pasojë e një kulture politike të ndërtuar prej vitesh me demonizim, poshtërim dhe urrejtje...

Më shumëDetails

Po, unë jam drenicake

Po, unë jam drenicake
19/05/2026 - 16:13

Shkruan: Doruntina Meha Meqenëse është ndezur përsëri flaka e egër e ofendimeve dhe propagandës kundër Drenicës e orkestruar me saktësi nga partia në pushtet dhe ushtria e saj...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • PDK publikon listën, këta janë 110 kandidatët për deputetë

    PDK publikon listën, këta janë 110 kandidatët për deputetë

    177 Shpërndaje
    Shpërndaje 71 Tweet 44
  • “Konjufca doli keq në debat sepse çështjet ishin të pambrojtshme”, Ymeri: Ismaili dhe Kica-Xhelilin si më të mirët në debat

    81 Shpërndaje
    Shpërndaje 32 Tweet 20
  • “Mu ka pështjellë emri”, u arrestua për fajde, flet biznismeni Habib Tafaj: Jam i pastër, personat s’i njoh

    80 Shpërndaje
    Shpërndaje 32 Tweet 20
  • Albin Kurti prezanton aderimin e ri në VV vetëm 2 ditë para zgjedhjeve

    80 Shpërndaje
    Shpërndaje 32 Tweet 20
  • Analisti Hoxha: Edhe Lorik Maxhuni e paska deklasu ni zëvendesministre, Zoti hajr e boft

    80 Shpërndaje
    Shpërndaje 32 Tweet 20

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë