Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka parandaluar një tentim për futjen e sendeve të kundërligjshme në Qendrën Korrektuese të Dubravës, pas një aksioni të zhvilluar në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës Korrektuese dhe institucionet e tjera të sigurisë.
Gjatë bastisjes së planifikuar janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë telefona mobilë dhe rreth 480 gram substancë e dyshuar. Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka ndërmarrë veprimet procedurale dhe ka sekuestruar materialet e gjetura, ndërsa SHKK ka nisur hetimet e brendshme.
Shërbimi Korrektues ka theksuar se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe forcimin e sigurisë në institucionet korrektuese.












