
Në kuadër të hulumtimit për disa transaksione financiare të dyshimta të FC Vushtrria, Veriu.info ka zbuluar se nga llogaria bankare e këtij klubi janë bërë pagesa në kundërshtim me marrëveshjen e sponsorizimit dhe vërtetimin e lëshuar nga Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimit për Sponsporizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Ministrisë së Kulturës, Rinisië dhe Sportit.
Veriu.info ka siguruar “Kërkesën për Vërtetim” nga FC Vushtrria si përfitues i sponsorizimit dhe dhënësi i sponsorizimit “Proex” Sh.P.K të bërë më 19 shtator 2024 në vlerë prej 350 mijë euro, në të cilën paraqitet plani financiar i shpenzimeve.
Kjo kërkesë është miratuar nga Komisioni i MKRS-së dhe më datë 30.09.2024 është “Vërtetim” me të cilën njihet kjo shumë e sponsorizimit, më të cilën dhënësi pastaj lirohet nga obligimet tatimore në ATK, që nënkupton se këto janë indirekt para publike.
Mirëpo, përkundër obligimeve ligjore që dalin nga Ligji për Sponsorizim, Rregullorja (MKRS) Nr. 01/2024 për Përcaktimin e Kritereve, Procedurave dhe Formës për Vërtetimin e Sponsorizimit në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe VËRTETIMIT të lëshuar nga MRKS, FC Vushtrria dyshohet se ka bërë rreth 200 mijë në kundërshtim të plotë me këto obligime ligjore.
Nga dokumentet bankare që i ka siguruar Veriu.info, shihet se shumën prej 350 mijë euro kompania “Proex” Sh.P.K. (INTEREX) e ka ekzekutuar më datë 7 tetor 2024, vetëm një javë pas lëshimit të Vërtetimit nga Komisioni i MRKS-së me të cilin është aprovuar sponsorizimi. Në këtë moment FC Vushtrria ka pasur në xhirollogari bankare vetëm 14 mijë e 783 euro.
Në të njëjtën ditë, ende pa ‘pushu’ paratë në xhirollogari, FC Vushtrria ka bërë një pagesë prej 100 mijë 520 në xhirollogarinë e kompanisë “Inter Steel” Sh.P.K. që merret me profile metali, llamarinë te zinkuar e lëndë të parë të çelikut, veprimtari biznesore që nuk lidhet asgjë me nevojat e një klubi futbolli e as kategoritë e shpenzimeve të parapara në planin e shpenzimeve të këtij sponsorizimi të miratuar nga Komisioni i MKRS-së.
Sipas sinjalizuesit të Veriu.info brenda FC Vushtrria, pagesat e dyshimta dhe në kundërshtim të plotë me obligimet që dalin nga Vërtetimi i MKRS-së, kanë vazhduar edhe pas një muaji, ku më datë 7 nëntor 2024 klubi ka kryer pagesë prej 27 mijë 150 euro në xhirollogari të “SOLID GROUP” Sh.P.K., kompani kjo që sipas shënimeve në ARBK merret me: Prodhimin e tubave, gypave, profileve bosh dhe pajisjeve të tjera nga çeliku e transport rrugor të mallrave.
Veriu.info i ka dërguar pyetje kompanisë “SOLID GROUP” Sh.P.K. për të marrë përgjigje së çfarë raporti kontraktual ka pasur me FC Vushtrria dhe në emër të çfarë shërbimi është kryer kjo pagesë, por që deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi marrë përgjigje.
Sikur të mos mjaftonin dy pagesat e lartëpërmendura, pa asnjë investim serioz në stadium, FC Vushtrria ka vazhduar edhe në muajin janar pagesat drejt kompanive që merreshin me prodhim te metaleve, ani pse lojëtarët gjatë 12 muajve të fundit janë përballur me vonesa disa mujore të marrjes së pagave dhe mos pagesë të trustit pensional.
Veriu.info ka siguruar dëshmi se më 15 janar 2025 FC Vushtrria ka bërë edhe një pagesë në kompaninë “Inter Steel” Sh.P.K. në vlerë prej 30 mijë e 160 euro. Në të dy rastet pagesat ndaj “Inter Steel” Sh.P.K. janë kryer në bazë të pro-faturës.
Deri këtu po flasim për rreth 157 mijë pagesa nga parat e marra prej sponsorizimit për kompani që veprimtaria e tyre nuk lidhen asgjë planin e shpenzimeve të miratuar me Vërtetim nga MKRS për marrëveshjen FC Vushtrria – “Proex” Sh.P.K. (INTEREX) me pronar Shaip Mikullovcin, të cilin klubi e kishte prezantuar verën e kaluar si sponsorin kryesor. Asgjë nuk përfundon këtu, ka edhe më shumë.
Në dokumentet bankare të siguruar nga Veriu.info, shihet se FC Vushtrria nga data 02.12.2024 deri më 26.05.2025 ka realizuar 11 pagesa në vlerë prej 96 mijë 660 euro.
Veriu.info i ka dërguar pyetje kompanisë “My Travel” Sh.P.K. për të marrë përgjigje së çfarë raporti kontraktual ka pasur me FC Vushtrria, në emër të çfarë shërbimi është kryer kjo pagesë dhe se a kanë marrëdhënie biznesore me njërin prej sponsorëve kryesor të FC Vushtrria, por që deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi marrë përgjigje.
Sipas sinjalizuesit të Veriu.info brenda FC Vushtrria, pagesat e dyshimta nga parat e sponsorizimit nuk mbarojnë me kaq, por janë bërë edhe në drejtim të një xhirollogarie me emrin “KNKA TURIZM ORGAN”, emrin e të cilit nuk e kemi gjetur as në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, as në listën e OJQ-ve të Kosovës e as në internet si subjekt juridik në Kosovë.
FC Vushtrria në drejtim të “KNKA TURIZM ORGAN” ka realizuar dy pagesa në vlerë prej 41 mijë euro në total. Fillimisht më 16 janar 2025 janë paguar 13 mijë euro, e më pas 3 shkurt 2025 janë paguar 28 mijë euro.
Çka thuhet në Kërkesën për Vërtetim të bërë për marrëveshjen FC Vushtrria – “Proex” Sh.P.K (INEREX)?
Sipas vërtetimit të lëshuar nga MKRS-së, këto mjete të sponsorizimit FC Vushtrria është dashur t’i shpenzoj kështu: 150 mijë euro në paga dhe kontribute pensionale për lojëtarët, 35 mijë euro në në paga dhe kontribute pensionale për trajnerë, 15 mijë euro në paga dhe kontribute pensionale për staf administrativ, 15 mijë euro në paga dhe kontribute pensionale për staf teknik, 5 mijë euro në udhëtime për lojëtarë, 15 mijë euro në transport, 30 mijë euro në ushqim dhe pije për lojëtarë, 5 mijë euro në akomodim për lojëtarë, 20 mijë euro në infrastrukturën e stadiumit, 10 mijë euro në organizim të ndeshjeve si vendës, 10 mijë euro për sigurimin e ndeshjeve, 15 mijë euro për veshmbathje për ekipin, 10 mijë euro në pajisje sportive, 10 mijë euro në pajisje fizioterapie dhe medicionale e pagesa të ambulancës, si dhe 5 mijë euro në shpenzime të paparashikuara.
Nga të dhënat bankare që kemi analizuar, FC Vushtrria ka shkelur detyrimet që dalin Vërtetimi për pranimin e spornsorizimit që derivon nga Marrëveshja FC Vushtrria me “Proex” Sh.P.K. i nënshkruar më datë 19 shtator 2024, për këto arsye:
1) Pagesa e trustit pensional për lojëtarët dhe stafin e klubit është paguar për herë të fundit më 15 gusht 2024 në vlerë 3990. Prej asaj date e deri në fund të muajit maj 2025 nuk ka asnjë pagesë për trust pensional, që është obligim ligjor që rrjedh nga ligjet në fuqi dhe nga detyrimet që dalin nga Vërtetimi i Sponsorizimit për marrëveshjen FC Vushtrria me “Proex” Sh.P.K. në vlerë 350 mijë euro.
2) Plani i shpenzimit të 350 mijë euro i kësaj marrëveshje parasheh 15 mijë euro shpenzime transporti dhe 5 mijë euro shpenzime udhëtimi të biletave për lojëtarët e huaj dhe vendor. Përkundër kësaj, FC Vushtrria ka shkelur marrëveshjen duke paguar 96 mijë 660 euro në agjencionin turistik “My Travel” Sh.P.K., që është pesë fishi i shumës së lejuar me Vërtetimin e Sponsorizimit.
3) Përfaqësuesi i FC Vushtrria ka tërhequr mijëra nga banka para ‘kesh’ në emër të pagesës së policëve që janë merr me sigurim të ndeshjes si punë sekondare. Mirëpo, Policia e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht se pagesat i pranon vetëm përmes xhirollogarisë bankare e pastaj policëve ua paguan meditjet bashkë me pagën e muajit përkatës. Nuk dihet se ku kanë shkuar këto para! (https://veriu.info/skandal-ku-shkuan-mijera-te-terhequra-kesh-nga-llogaria-e-fc-vushtrria-si-pagese-per-policine-policia-mohon-te-kene-pranuar-para-kesh-dokument/)
4) Në planin e investimeve në stadium janë të parapara 20 mijë euro. Ndërsa, FC Vushtrria ka paguar 130 mijë euro kompanisë “Inter Steel” Sh.P.K. dhe 27 mijë “SOLID GROUP” Sh.P.K., që të dy këto kompani që merren me përpunimin e metaleve, përderisa investimet reale nga klubi në stadium janë në vlerë reale më pak se 10 mijë euro. Por, edhe sikur që krejt investimi të jetë në stadium, atëherë është shkelje e Vërtetimit të sponsorizimit. Pramendoni me 157 konstrukte metalike si do të dukej një stadium futbolli?!
Në Vërtetimin e lëshuar nga MKRS më datë 30.09.2024, thuhet se përfituesit që nuk bëjnë mbylljen e raporteve të sponsorizimit di të ndëshkohen dhe njëkohësisht ndaj tyre do të kërkohet kthimi i mjeteve përmes organeve të drejtësisë.
Rregullorja (MKRS) Nr. 01/2024 për Përcaktimin e Kritereve, Procedurave dhe Formës për Vërtetimin e Sponsorizimit në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Neni 14, paragrafi 4, thotë: Përfituesit e sponsorizimit të cilët nuk raportojnë për mbylljen e sponsorizimeve të cilat i kanë përfituar, atëherë ata nuk mund të jenë përfitues të vërtetimeve të reja të sponsorizimit dhe Përfituesit e sponsorizimit të cilët nuk bëjnë mbylljen e raporteve të sponsorizimit sipas këtij neni do të ndëshkohen sipas nenit 17 të Ligjit Nr. 06/L-116 dhe njëkohësisht ndaj tyre do të kërkohet kthimi i mjeteve përmes organeve të drejtësisë.
Ndërkaq, Ligji për Sponsorizimeve Nr. 05/L-090 – neni 15, thotë se ATK-ja është organ që mbikëqyr dhënien, pranimin dhe shfrytëzimin e sponsorimit dhe reklamimit për zbritjet e lejuara. Po ashtu në këtë nen thuhet se nëse ATK-ja gjatë kontrollit vërteton parregullësi dhe keqpërdorime të shfrytëzimit të sponsorimit mund të parashtrojë kallëzime penale apo kundërvajtëse.
Përveç shkeljeve të lartëpermendura, Veriu.info ka raportuar në muajt e fundit edhe se si Sara Rrahimi, vajza e kryetarit të FC Vushtrria, Shemsi Rrahimi, është paguar 2 mijë euro në emër të “shërbimeve ndaj klubit”. (https://veriu.info/deshtim-sportiv-fitim-personal-kryetari-i-fc-vushtrrise-shemsi-rrahimi-dhe-vajza-e-tij-u-paguan-mijera-euro-nga-klubi-dokument/)
Veriu.info më 2 tetor ka dërguar pyetje në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporti, për të marrë përgjigje se a janë përmbyllur marrëveshjet e sponsorizimit të FC Vushtrri të cilave iu ka skaduar afati, ku njëra prej tyre është edhe kjo në vlerë prej 350 mijë euro, a po tentohet përmbyllja e tyre në mënyrë kundërligjore për t’i mundësuar klubit nxjerrjen e vërtetimeve të reja dhe se a është ministria e informuar se një punonjës (drejtor) i kësaj ministri është ka pasur raporte financiare private më FC Vushtrria, përkundër që është konflikt i pastër interesi. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje nga MKRS.
Kujtojmë se në kohën kur kanë ndodhen krejt këto pagesa, kryetar i Klubit ka qenë Shemsi Rrahimi, ish punëtorë i kompanisë së Shaip Mikullovcit (Emona Group) dhe Drejtor Sportiv, Liridon Ahmeti, dhëndrri (burri i motës) i Shaip Mikullovcit. Përderisa, në kompaninë “Proex” Sh.P.K., Shaip Mikullovci zotëron 90% të aksioneve të kompanisë përmes kompanisë “CDI -Kosovo L.L.C.”. “Proex” Sh.P.K. ka në pronësi rrjetin e marketeve “INEREX”.
(Vijon: Si e paguajti mijëra FC Vushtrria një drejtor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në xhirollogari private për t’ia përgatitur letrat e sponsorizimit; Cili zyrtar i FC Vushtrria tërhoqi nga banka mbi 50 mijë euro kesh për dy javë, ani pse faturat mbi 300 euro duhet paguar me transaksion bankar.)