Shpeshherë, ajo që duhet të jetë më e sigurta për qytetarët – të dhënat personale – përfundon në duart e bizneseve pa asnjë garanci. Shkelja e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga bizneset në Kosovë është bërë problem serioz, duke e detyruar Agjencinë për Informim dhe Privatësi të ndërmarrë aksione në terren për të ndaluar praktika të paligjshme.
Veriu.info ka siguruar një vendim të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, e cila i ka ndaluar përkohësisht kompanisë “Elkos” Sh.P.K. të Ramiz Kelmendit përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamera.
AIP ka zbuluar se “Elkos” Sh.P.K. ka bërë përpunim të të dhënave personale në mënyrë të kundërligjshme, përkatësisht në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Inspektorët e AIP kanë zbuluar se “Elkos” nuk e ka të vendosur shenjën informuese (njoftuese) se hapësira përkatëse vëzhgohet me kamera.
“Kontrolluesi (v.j. Elkos) ka të vendosur sistemin e vëzhgimit me kamera në hapësirën e jashtme dhe të brendshme të objektit. Sistemi i vëzhgimit me kamera është i vendosur në zyrat e kalkulantëve (arkëtarëve); numri i tyre është katër (4). Gjithashtu, në këtë zyrë është i vendosur monitori dhe serveri i kamerave (ku evidentohet çdo lëvizje). Ndërsa katër (4) kamera janë të vendosura në depo. Mungon shenja njoftuese-informuese, gjithashtu nuk posedon vendim të brendshëm për vendosjen e sistemit”, thuhet në vendimin e AIP për rastin e “Elkos” të Ramiz Kelmendit.
Sipas vendimit të AIP, “Elkos” Sh.P.K., në cilësinë e kontrolluesit, përmes sistemit të vëzhgimit me kamera ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me nenet 75 dhe 76 të LMDHP-së, pasi kjo kompani nuk ka vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamera, si dhe nuk e ka të vendosur shenjën njoftuese për aplikimin e vëzhgimit me kamera.
AIP, me vendimin numër 17/2025 të datës 19.02.2025, ka urdhëruar kompaninë “Elkos” të bëjë shkatërrimin e të dhënave të mbledhura përmes sistemit të vëzhgimit me kamera.
Ky inspektim i AIP është realizuar në Njësinë 4638 të kompanisë “Elkos”, njësi e cila sipas regjistrit në ARBK figuron të jetë depo e tyre në Prizren.
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “Elkos” Sh.P.K. për këtë vendim të AIP, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara.
Ndryshe, pronar i kompanisë “Elkos” Sh.P.K. në kuadër të së cilës funksionon rrjeti i marketeve “ETC” është Ramiz Kelmendi, i cili zotëron 100% të aksioneve të kompanisë.




LEXONI EDHE:
Profesori vushtrrias, Lahu: Krimb në biskotat e kompanisë “Liri” që shiten në ETC
Ky është sigurimi i ETC në Mitrovicë që u arrestua sot për trafikim ndërkombëtar me narkotik














