Në Kosovë viteve të fundit janë rritur në mënyrë ekspansive shërbimet e Filler dhe Botox, por që shumica janë ofruar dhe po ofrohen në mënyrë të kundërligjshme, pasi që ofruesit e injektimit të tyre nuk janë të licencuar. Për dallim nga shërbimi filler për ofrimin e të cilëve janë të lëshuara disa licenca, ofrimi i shërbimit të Botox-it është krejtësisht i ndaluar në Kosovë, pasi që asnjë subjekt juridik nuk është i licencuar.
Në kuadër të një hulumtimi për parregullësi në ofrimin e shërbimit të të injektimit të Botox-it dhe Filler-it, Veriu.info ka siguruar një vendim të Inspektoratit Shëndetësor me të cilin është gjobitur me 3 mijë euro Subjekti Privat Shëndetësor “Miliona” Sh.P.K. për shkelje të Ligjit për Shëndetësi.

Në raportimin e inspektimit të Inspektoratit Shëndetësor të kryer me kërkesë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, thuhet se me rastin e inspektimit është konstatuar se SPSh “Miliona” Sh.P.K. me thememues/pronar Salih Imeri nuk posedonte licencë shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë.
Pra, klinika estetike “Miliona” e Salih Imerit funksiononte në mënyrë krejtësisht të kundërligjshme.
Gjatë këtij inspektimi të kryer nga inspektorët shëndetësor nën shoqërimin e hetuesve të krimeve ekonomike, janë gjetur në klinikën “Miliona” dy kliente duke marrë shërbime, edhe pse e njëjta nuk kishte licencë të veprimtarisë.


Po ashtu janë gjetur sasi e konsiderueshme e fillerëve, për të cilat shërbime “Miliona” nuk kishte licencë. Po ky fakt nuk e ka penguar klinikën e Salih Imerit të kryente shërbimin e injektimit të fillerëve, për të cilët inspektorët kanë gjetur edhe listën e pacientëve.
Veriu.info ka siguruar edhe procesverbalin e inspektimit, ku shihet se inspektorët që realizuan këtë inspektim ishin: Mevlyde Aviu, Leotrim Grulaj dhe Kaltrina Islamaj. Ndërsa, hetues të krimeve ekonomike në këtë kanë qenë: Gent Selaci e Visar Demolli.
Me këtë procesverbal inspektimi, klinikës estetike “Miliona” të Salih Imerit i ishte ndaluar ofrimi i shërbimeve shëndetësore deri në marrjen e licencës.

Përkundër, që u kap duke punuar pa licencë shëndetësore dhe u vërtetua se kishte trajtuar edhe pacientë me shërbime të ndjeshme si filler, inspektorët shëndetësor e gjobitën me një shumë simbolike prej 3 mijë euro, pagesa e të cilës brenda afatit prej 15 ditësh e liron shkelësin e Ligjit për Shëndetësi me 50% të shumës.


Veriu.info ka tentuar të marrë edhe një qëndrim të “Miliona” Sh.P.K., por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, në shtator të vitit të kaluar Gazeta Neutral kishte raportuar për një skandal, ku sipas raportimit, ishte i përfshirë Salih Imeri me kompaninë tjetër të tij, “Dermals” Sh.P.K., pasi që kishte tentuar të fuste mallra kontrabandë përmes aeroportit të Prishtinës.
Neutral kishte vazhduar me lajmin e radhës, duke raportuar për dyshime për koordinim mes biznesmenit Salih Imeri, doganierëve dhe postave transportuese për kontrabandim të mallit përmes aeroportit të Prishtinës.
LEXONI EDHE:















