Gjykata Speciale me seli në Hagë ka konfirmuar se gjyqtarët kanë urdhëruar zgjatjen e afatit për shpalljen e vendimit në rastin e krerëve të UÇK-së.
Sipas gjykatës, zgjatja është bërë për shkak të kompleksitetit të çështjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e shtyrjeve të tjera.
“Po, Paneli Gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.
Sipas planifikimeve fillestare, shpallja e aktgjykimit me afatin 90-ditor pritej të bëhej më së largu më 19 maj.
Me vendimin e ri, afati final për këtë fazë është shtyrë deri më 20 korrik.













