Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë aksionit të sotëm të opozitës para objektit të Qeverisë.
Tahiri e ka cilësuar Kurtin si “shkelës recidivist të Kushtetutës”, duke e akuzuar se po pengon punën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe po mban peng funksionimin institucional të vendit.
“Shkelësi recidivist i Kushtetutës vazhdon të struket në zyrën e vet. Ai 120 deputetëve të Kuvendit ua ka marrë mandatin që ua ka dhënë populli. Ai nuk lejon të ushtrojmë detyrën tonë”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, bllokada institucionale ka për qëllim që Kurti të krijojë mundësi për të marrë edhe pozitën e presidentit për partinë e tij.
“Ai e ka bllokuar konstituimin e Kosovës me të vetmin qëllim, me gjetur diku një derë me kap edhe postin e presidentit për partinë e vet”, tha deputeti i AAK-së.
Tahiri deklaroi se kjo situatë, sipas tij, po e dobëson shtetin dhe po e mban Kosovën peng pas disa palë zgjedhjesh.
“Kjo ka vetëm një qëllim: dobësimin e Kosovës dhe ta mbajë peng një shtet tash e tri palë zgjedhje”, u shpreh Tahiri.













