Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Arian Tahiri ka vlerësuar si arritje të madhe miratimin e Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke kërkuar zbatimin e plotë të tij dhe respektimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook,, Tahiri ka theksuar se ky vendim është i rëndësishëm për mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe garantimin e drejtësisë.
Ai ka bërë thirrje që institucionet dhe qytetarët t’i qëndrojnë prapa çdo neni të ligjit dhe të kërkojnë zbatimin e tij të plotë, pa përjashtime dhe pa ekuivoke.
Sipas Tahirit, Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa Kuvendi është institucioni që ushtron pushtetin legjislativ.
“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Gjykata Speciale është organ i krijuar mbi bazën e rendit juridik të Republikës së Kosovës, ndërsa Kuvendi është institucioni që ushtron pushtetin legjislativ. Ligjet që miraton Kuvendi nuk janë rekomandime dhe as çështje vullneti: ato janë detyrim dhe duhet të zbatohen”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka shtuar se nuk duhet të ketë hezitim apo tërheqje përballë zbatimit të ligjit, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për ta shpërfillur atë do të përballet me qëndrimin e tij të vendosur.
Tahiri ka ritheksuar se Kosova duhet të veprojë si shtet sovran dhe se zbatimi i plotë i ligjit duhet të jetë prioritet.












