“Mezi pres të punoj me ju”, kishte qenë mesazhi urues i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti drejtuar fituesit të zgjedhjeve të fundit në Maqedoni të Veriut, Hristjan Mickoskit, i cili kishte përmbysur pushtetin e kaluar maqedonas mes LSDM-së dhe BDI-së së Ali Ahmetit.
Albin Kurti jo thjesht si kryetar i partisë së tij por edhe në kapacitet kryeministri kishte mbështetur forcat e tjera politike atje si VLEN-it shqiptar, që kryesisht garonin nën tezat dhe ngjyrime politike të tij. Edhe vetë LVV-ja kishte garuar në këto zgjedhje me tre kandidatë. Krjet kjo do të konkludohej në absorbimin e tyre në koalacion me VMRO-në nacionaliste maqedonase, me diskurs herë më shumë e herë më pak, anti-shqiptar dhe anti-UÇK.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu u kujdes që të “saktësojë” se takimi Kurti-Mickoski ishte aranzhuar qysh më 20 korrik, dy javë para incidentit të paprecedentë të shkaktuar në aeroportin e Shkupit, ku nga pjesëtarë të sigurimit të aeroportit pati edhe mësymje fizike ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit e quajti “sulm ndaj Republikës së Kosovës” dhe “provokim me synim të shkaktimit të incidentit”; dhe, për më tepër, e lexoi krejtësisht si konfirmim se urdhëri qe dhënë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut shprehu një “keqardhje” të frazuar ligshtë derisa MPJ-ja kosovare ka dërguar edhe notë proteste te institucioni homolog.
Në takimin e sotëm Kurti ka marrë një grusht ministrash të tij (të Jashtmen, të Infrastrukturës, të Drjetësisë) me ç’rast është njoftuar takim bilateral në nivel delegacionesh; ndonëse nuk janë qartësuar temat për çka bëhe fjalë.
Siç shkruajnë mediat e afërta me pushtetin e ri maqedonas, temë mes takimit të Kurtit dhe Mickoskit pritet të jetë edhe incidenti me Osmanin, gjë për të cilën Kurti ka mirëmbajtur një heshtje të pashoq.
Një varg mediash atje kanë ushqyer propagandë e senzacionalizëm me rastin e Osmanit, ndërsa në shkrimet më të fundit veçse kanë nisur ‘thashethmnajë’ të organizuar se çka pritet nga takimi Kurti-Mickoski.
Portali “infomax.mk” i angazhuar më së shumti në këto tema shkruan se “Kurti do të provojë të shpëtojë Afrim Gashin”; në kuptimin që ky i fundit dërgoi truprojat personale të tij në aeroport kur ndodhi incidenti me Osmanin. Në këtë kontekst, sipas këtij mediumi, takimi do të jetë i natyrës “realpolitike”.
“Ajo që u bë evidente pas incidentit është se përkundër fjalëve të ashpra dhe ofendimeve nga kabineti i Osmanit dhe notës protestuese nga MPJ, Maqedonia dha vetëm një keqardhje, por jo kërkimfalje, dhe atë nga një nivel shumë më i ulët se i saj. Është e dukshme se as presidentja Gordana Siljanovska Davkova nuk e ka thirrur nga linja femërore, ndërsa Mickoski ka marrë vetëm mesazh nga Meçkin Kamen për heqjen e kërkesave etnike nga ‘tavolina’”, shkruan ky portal i afërt me qeverinë atje
“Tashmë është e qartë se nuk do të ketë as falje dhe se të gjithë dëmin politik nga incidenti do ta paguajë Osmani dhe përveç Vredit për sjelljen e pahijshme të Gashit dhe BDI për shpërthimet patetike në stilin e ‘Kosovë, na fal’ pa i pritur atyre informacionet nga ngjarja”, shkruan më tej.
“Nga ky aspekt, ka shumë më shumë gjasa që Kurti ta shpëtojë Gashin nga gafa që i vuri pikëpyetje të madhe aftësisë së tij për të mbajtur pozitën që mori në ndarjen e koalicionit, sesa të shpëtojë Osmanin, me të cilin është në mosmarrëveshje dhe partia e të cilit me siguri dëshiron ta vërë nën kontroll para zgjedhjeve në Kosovë”, shkruan më tej ky medium.













