Dy personat e arrestuar në Prizren nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të fajdesë janë emra të njohur për organet e drejtësisë.
Në mesin e tyre është Beqir Selimi, i njohur si “Beqë Prizreni”, i cili, ka qenë i afërt me grupin e Dibran Hoxhajt, i njohur si “Kobra”, shkruan Insajderi.
Selimaj ishte përfshirë edhe në një rast penal të vitit 2018, ku ishte akuzuar për vrasje në tentativë. Rasti lidhej me një ngjarje të ndodhur më 26 qershor 2018 në rrugën “De Rada” në Prizren.
Në këtë rast, Beqir Selimi ishte njëri nga të akuzuarit, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar në Apel anulimin e aktgjykimit të Gjykatës.
Megjithatë, Gjykata e kishte liruar Beqir Selimin nga akuza për vrasje në tentativë.
Selimaj është përmendur edhe në lidhje me grupin e Dibran Hoxhajt. Në disa pamje të publikuara më herët nga mediat, ai shihet duke u përfshirë në një përleshje me Edison Hotin, në një incident ku ishte i pranishëm edhe Hoxhaj.
Selimaj i kishte ofruar siguri Dibran Hoxhajt gjatë kohës sa ky i fundit ishte i lirë.
Ndërkohë, edhe Fadil Selimi, personi tjetër i arrestuar në rastin e fundit për fajde, ishte përfshirë në rastin penal të vitit 2018 për vrasje në tentativë.
Procedura ndaj Fadil Selimit për rastin në vrasjen në tentativë ku ishte i përfshirë Beqir Selimi ishte veçuar, ndërsa nuk është gjetur një raportim i mëvonshëm që të konfirmojë epilogun përfundimtar të kësaj procedure.
Të dytë, Fadil Selimi dhe Beqir Selimi, bashkë me Arsim Doganin, aktualisht dyshohen nga organet e rendit për përfshirje në veprimtari të fajdesë.













