Edhe për vitin shkollor 2024/2025, prindërit po përballen me barrën e ndërlikuar të blerjes së librave për fëmijët e tyre. Vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Teknologjisë për mbulimin e kostos së teksteve për nxënësit është shoqëruar këtë vit me kritika të mëdha për një sërë shqetësimesh.
Me vendimin e njëjtë edhe këtë vit, MAShT-i ka rikthyer burokracitë e vitit të kaluar në lidhje me mbulimin e kostos së teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit. Procesi përfshin transferimin e fondeve drejtpërdrejt në llogaritë bankare të prindërve.
Drita Kadriu, Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, ka shprehur shqetësimin për vendimin e vonuar për shkak të kohës së kufizuar.
“Edhe këtë vit vendimi për formën e shpërndarjes së librave është i vonë në raport me kohën që ka mbetur për fillimin e vitit të ri shkollor. Prindërit duhet të ballafaqohen me qëndrimin e gjatë nëpër librari, plotësimin e kërkesave të mësimdhënësve në raport me tekstet që ata i kanë zgjedhur e të tjerë”, ka Kadriu ditë më parë për Telegrafin.
Vitin e kaluar, prindërit u ankuan në lidhje me aplikimet për subvencionimin e teksteve shkollore, ku pati raportime të shumta për vështirësi teknike gjatë procesit.
80 për qind e qytetarëve raportuan probleme teknike vitin e kaluar gjatë procesit të aplikimit për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore, në një sondazh që Nacionale bëri në Facebook.
Për vitin akademik 2024-2025, Ministria e Arsimit ka ndarë rreth 13 milionë për të mbështetur blerjen e teksteve dhe materialeve arsimore.
Prindërit e fëmijëve të klasave 1-5 do të marrin 80 euro si subvencion për blerjen e teksteve, ndërsa prindërit e nxënësve të klasave 6-9 do të subvencionohen me 110 euro.
Nga ana tjetër, sipas ministres Nagavci, ky proces është “shmang mundësinë e çdo keq planifikimi që ka ndodhur në të kaluarën.”
“Ky proces është transparent, shmang mundësinë e çdo keq planifikimi që ka ndodhur në të kaluarën. Aplikimi do të fillojë nesër në platformën E-Kosova. Sipas kërkesave, nxënësit nga klasa e 1-5 do të subvencionohen me nga 80 euro, ndërsa nga klasa e 6-9 do të subvencionohen me 110 euro”, kishte deklaruar Nagavci.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar deri më 20 gusht janë bërë 151 mijë aplikime nga ana e prindërve për subvencionim të teksteve shkollore nga klasa 1-9, derisa janë ekzekutuar mbi 81 mijë pagesa.












