KPMShCK ka shfuqizuar vendimin për caktimin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe ka konstatuar shkelje procedurale në veprimet e ministrisë. Faik Kelmendi u shkarkua pas vetëm dy muajsh, u zëvendësua me Afërdita Thaqin dhe, vetëm disa ditë më vonë, u riemërua sërish në të njëjtën pozitë. Në vendimin e 18 gushtit, Këshilli konstatoi se riemërimi i Kelmendit nuk përmbushte kriteret e përcaktuara me ligj, ndërsa ministria kishte lënë në fuqi edhe aktin e mëparshëm për Thaqin.
Lojërat me emërime e shkarkime në Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK) i kanë kushtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që drejtohet nga Fitore Pacolli-Dalipi një tjetër goditje ligjore.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka shfuqizuar vendimin për caktimin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të AKK-së, duke nxjerrë në shesh një varg shkeljesh procedurale dhe mospërputhjesh me ligjin nga ana e ministres Fitore Pacolli-Dalipi.
Historia e amullisë drejtuese në AKK i ka rrënjët muaj më parë.
Pas zëvendësimit të Avni Ahmetit, ministrja Pacolli kishte caktuar Faik Kelmendin në krye të agjencisë. Mirëpo, siç kishte raportuar Gazeta Insajderi, rehatia zgjati vetëm dy muaj: më 21 maj 2026, ministrja e shkarkoi Kelmendin për të vendosur në atë pozitë Afërdita Thaqin.
Eksperimenti burokratik mori një kthesë edhe më bizare kur vetëm disa ditë më pas, më 29 maj, ministria bëri prapakthehu duke e ri-emëruar sërish Faik Kelmendin si ushtrues detyre.
Kjo manovrë administrative u rrëzua nga KPMShCK më 18 gusht 2026 (vendimi A.nr.624/2026), pas ankesës së parashtruar nga Avni Ahmeti.
Kolegji i Këshillit konstatoi se ri-emërimi i Kelmendit binte ndesh me nenin 35 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, pasi pozita e tij paraprake nuk i takonte kategorisë së mesme drejtuese të konfirmuar—kriter strikt ky për marrjen e kësaj përgjegjësie.
Përveç diskualifikimit ligjor të kandidatit, KPMShCK zbuloi një tjetër parregullsi procedurale: gjatë ri-emërimit të Kelmendit më 29 maj, ministria kishte harruar të shfuqizonte ose anulonte vendimin e paraprak për Afërdita Thaqin.
Kjo solli një absurditet juridik ku për të njëjtën pozitë ekzistonin njëkohësisht dy akte zyrtare aktive, duke e bërë aktin e ri të paligjshëm në aspektin administrativ.
Ministria tashmë obligohet që emërimin e ri ta bëjë në përputhje me ligjin. Edhe pse pala e pakënaqur ka të drejtë të hapë konflikt administrativ në Gjykatën Administrative në Prishtinë brenda 30 ditësh, inicimi i padisë nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit të KPMShCK-së.












