Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka nënshkruar kontratë për “Hartimin e projekteve për investime kapitale”, ndonëse vlera e parashikuar e kontratës publike kornizë ishte 600 mijë euro.
Sipas dokumentit zyrtar të prokurimit, kontrata është lidhur me operatorin ekonomik “Florije Jahaj”, ndërsa vlera e saj figuron vetëm 153.26 euro, shkruan IndeksOnline.

Tenderi ishte iniciuar në muajin shkurt të këtij viti dhe ishte paraparë të zgjasë 36 muaj. Në garë kanë qenë tri oferta, por vetëm njëra është shpallur e përgjegjshme nga autoriteti kontraktues.
Në njoftim thuhet se kontrata ka të bëjë me hartimin e projekteve për investime kapitale, ndërsa financimi është paraparë nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

Megjithatë, dallimi i madh mes vlerës së parashikuar prej 600 mijë eurosh dhe kontratës së nënshkruar prej vetëm 153 eurosh ngre pikëpyetje rreth specifikave të këtij aktiviteti të prokurimit.













