Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë vendim për pezullimin e dy zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së Kadastrit, Ramush Thaqi dhe Nexhmi Demolli, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tyre për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.
Gazeta Insajderi ka siguruar vendimet e nënshkruara nga kryetari Rama, të cilat mbajnë datën 3 prill.
Sipas këtyre dokumenteve, Ramush Thaqi, në cilësinë e Udhëheqësit të Sektorit të Kadastrit, dhe Nexhmi Demolli, Zyrtar i lartë për kadastër dhe gjeodezi, janë pezulluar nga marrëdhënia e punës me pagesë prej 50% të pagës bazë deri në përfundimin e procedurës penale.


Sipas aktakuzës së siguruar, Prokuroria pretendon se dy zyrtarët, në bashkëkryerje dhe duke shfrytëzuar autoritetin e tyre, kanë tejkaluar kompetencat në lidhje me ndryshimin e subjekteve hipotekmarrëse për një parcelë specifike.
Në arsyetimin e prokurorisë thuhet se të pandehurit kanë aprovuar kërkesa për modifikim të aktvendimeve dhe certifikatave të pronës në kundërshtim me udhëzimet administrative në fuqi, duke prodhuar dokumente zyrtare me përmbajtje të rreme.
Këto veprime, sipas prokurorisë, i kanë shkaktuar dëm palëve të treta dhe kanë cenuar të drejtat pronësore.
Përveç angazhimit profesional në komunë, zyrtari i pezulluar Ramush Thaqi shfaqet si përkrahës ‘i flaktë’ i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kjo vërhet qartë nga kërkimet në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Me datë 12 prill, ndonëse me gabime drejtshkrimore ai i ka uruar Abdixhikut, postin e presidentit.

Në njërin nga postimet e tij, Thaqi shkruan: “Në demokraci vendosë shumica, vendosën delegatët. Lumir Abdixhiku kryetar i LDK-së”.

Vendimet e suspendimit specifikojnë se Sektori i Burimeve Njerëzore është njoftuar zyrtarisht nga Prokuroria më 1 prill 2026 mbi ngritjen e aktakuzës.
Zyrtarët e lartpërmendur kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHC) brenda afatit prej 30 ditësh.
Deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, të gjitha palët e përfshira në këtë proces gëzojnë të drejtën e prezumimit të pafajësisë.














