Marjana Koçeku, një deputete 25-vjeçare që vitin e kaluar hyri në parlament si pjesë e Partisë Socialiste si pjesë e prurjeve të reja të Edi Ramës, tashmë si deputete e pavarur, Koçeku është rreshtuar krah të rinjve në shesh mes korruptimit të lartë, mungesës së punësimit dhe tensioneve të ashpra me policinë.
Siç raporton Reuters protestuesit kanë sulmuar godina qeveritare e banka dhe kanë qëlluar me gurë ndaj policisë, e cila është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Sipas shifrave zyrtare të policisë të cituara nga Reuters, rreth 500 persona janë ndaluar (330 prej të cilëve janë liruar), ndërsa janë lënduar të paktën 120 efektivë policie dhe 45 protestues.
“Vendi është i mrekullueshëm, por politikat e gabuara të kësaj elite politike bien tërësisht ndesh me atë që kanë kërkuar qytetarët shqiptarë për një kohë të gjatë“, ka deklaruar Koçeku mes tymit të gazit lotsjellës.
Nga ana e tij, Edi Rama, i cili ndodhet në pushtet që nga viti 2013, ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion dhe ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, duke theksuar se “qeveritë ndërrohen përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes dhunës”.
Sipas raportimit të Reuters, kjo valë protestash përfaqëson kërcënimin më të madh për pushtetin e Ramës deri më sot. Trazirat pasojnë muaj të tërë pakënaqësish, të nxitura edhe nga projektet e debatueshme të pronave në bregdetin e jugut – përfshirë një resort luksoz të mbështetur nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner – si dhe nga hetimet e prokurorisë ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë.
“Vendi ynë janë vetë qytetarët shqiptarë. Ata e krijojnë të ardhmen dhe ata mund ta çojnë vendin përpara, jo një person i vetëm e as një qeveri e vetme”, përfundoi Koçeku.















