Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar një Urdhër Ndalues Përfundimtar, me të cilin ka bllokuar dhjetëra parcela në Veternik të Prishtinës, të përfshira në projektin e shumëpërfolur “Prishtina e Re”. Mes pronarëve të përfshirë del edhe Sami Mazreku, ish-Drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), të cilit i është bllokuar një pronë prej 1600 m². Në këtë rast një pronë i është bllokuar edhe Venhar Hanës, ish-Avokatit të Byrosë, për rastin e të cilit pati raportuar gjerësisht Insajderi.
Prona e parë. Këto janë dy fjalë që jo rrallë i kanë lidhur bashkë ish-Drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), i përzënë nga industria për gjysmë dekade me vendim të shtetit, dhe ish-avokatin e po këtij institucioni, Venhar Hana.
BKS-ja është një institucion i krijuar me Ligj, e që buxhetin e krijon përmes kompanive të sigurimeve nga policat obligative për të cilat garant është shteti.
Emrat e këtyre dyve, Mazrekut e Hanës, por jo vetëm të tyre, janë në një dokument që ka përpiluar Gjykata në Prishtinë, e një kopje të të cilit e ka Gazeta Insajderi.
Bëhet fjalë për një pronë të vlefshme me miliona, që është nën hetim kohë të gjatë, por u desht shumë përpjekje që më në fund Gjyqi të e vendos nën masë bllokimi. Aty tashmë ka banesa, disa të blera nga qytetarë që mund edhe të mos e kenë ditur fare që e njëjta mund të jetë me telashe.
Kështu, sipas aktvendimit të siguruar nga Insajderi, parcela kadastrale 1743-5, e regjistruar në emër të Mazrekut, është përfshirë në listën e pronave që gjykata ka urdhëruar të ndalohen nga shitja, bartja apo çfarëdo transaksioni tjetër. Një pjesë prej 500 m² të kësaj parcele Mazreku e kishte shitur më herët tek Venhar Hana, ndërsa 1100 m² mbeten drejtpërdrejt në emër të tij, tashmë të bllokuara nga Gjykata.
Ky zhvillim i fundit e lidh Mazrekun jo vetëm me industrinë e sigurimeve, nga e cila ishte larguar me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), e cila i ndaloi ushtrimin e funksioneve për pesë vjet për shkak të shkeljeve në BKS, por edhe me një aferë të madhe të pronave në Veternik, ku Prokuroria po heton mashtrime dhe legalizime të rreme dokumentesh nga të dyshuarit kryesorë Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi.
Në këtë listë pronarësh shfaqet edhe Venhar Hana, i njohur për përfshirjen e tij në skandalet e tokave publike, për të cilin rast ka raportuar gjerësisht Gazeta Insajderi.
Ai është arrestuar më herët për dyshime mbi dallavere me tokën milionëshe të shtetit dhe gjendet në procese gjyqësore civil me familjarët për pasuri të konsiderueshme, përfshirë prona, banesa, vetura dhe kursime bankare.
Roli i tij në rastin e Veternikut lidhet drejtpërdrejt me blerjen e tokës nga Sami Mazreku, duke e vendosur në qendër të një prej aferave më të mëdha të pronave në Kosovë.
Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar se prona në Veternik është përfituar me mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve, ndaj të gjitha parcelat e përfshira janë bllokuara përkohësisht me qëllim konfiskimi në të ardhmen.
Në këtë skemë shfaqet edhe Afrim Gashi, i cili sipas dosjes së prokurorisë dyshohet se ka bashkëpunuar me Ylber Hysenin për të bindur palë të treta të investonin në tokat e Veternikut, duke i mashtruar me pretendime se aty do të ndërtoheshin objekte shumëkatëshe dhe kompleksi “Prishtina e Re”. Prokuroria thotë se Gashi ka luajtur një rol kyç në shitblerjet dhe prezantimin e tokave si të ligjshme, ndonëse bazoheshin në dokumente të falsifikuara.
Në këtë rast, përveç Mazrekut, Hanës dhe Gashit, në listën e pronarëve që u prekën nga bllokimi figurojnë edhe emra të njohur biznesmenësh dhe qytetarësh që kishin blerë toka në zonë me pretendimin se aty do të zhvillohej kompleksi i madh.