Zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë komentuar deklaratat e presidentit të Francës Emmanuel Macron, i cili tha sot se në rast se Kosova dhe Serbia ‘nuk sillen përgjegjshëm’, do të ketë pasoja, raporton Gazeta Blic.
Këto deklarata presidenti francez i bëri në një takim me disa ambasadorë, duke aluduar se situata në veriun e Kosovës shpejt duhet të normalizohet.
E, për këtë, Besnik Tahiri shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se kjo çka po ndodh me Kosovën në planin ndërkombëtar është jashtëzakonisht shqetësuese.
“Kanë kaluar disa muaj që ne po jetojmë nën sanksionet e BE-së, e njeriu që është në krye të Qeverisë po bëhet sikur s`ka ndodhur asgjë. Po kujton që fati i Globit është i lidhur me tre njerëz që janë zgjedhur me disa qindra vota. Deklarata e sotme e Presidentit francez Macron, vetëm e vërteton brishtësinë që Kosova e ka me vendet më të rëndësishme të BE-së. Shpresoj që shtatori mund ta sjell një epilog për kapërcimin e gjendjes jo normale në veri. Albin Kurti është pajtuar për zgjedhje të reja, prandaj është mirë mos të bëjë numra për zotimin që e ka dhënë“, tha ai për Gazeta Blic.













